• e hënë, 30 dhjetor 2024

Taravari: Edhe 15 ministra të na ofrojë VMRO-DPMNE-ja, nuk do të pranojmë nëse nuk ecim në rrugën evropiane

Taravari: Edhe 15 ministra të na ofrojë VMRO-DPMNE-ja, nuk do të pranojmë nëse nuk ecim në rrugën evropiane

Shkup, 19 dhjetor 2023 (MIA) - Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kryetar i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari duke folur për mundësinë që të koalicionojë me VMRO-DPMNE-në thekson se edhe 15 ministra po tu ofrojnë, nuk do të pranojnë nëse nuk ecin në rrugën evropiane. 

"Edhe pesëmbëdhjetë ministra të na ofrojnë nëse nuk ecim në rrugën evropiane, nuk kemi çka kërkojmë aty. Në atë rast mundet kryetari i Aleancës të japë dorëheqje, partia të vazhdojë. Megjithatë, nuk mundet Aleanca për Shqiptarët të përfshihet në cilindo bllok i cili do ta stagnojë shtetin në pesë deri dhjetë vitet e ardhshme" tha Taravari në intervistë për gazetën "Slloboden peçat".

Thekson se nëse partia bëhet pjesë e ndonjë Qeverie të ardhshme, ajo, siç tha, mund të garantojë se rruga evropiane do të jetë me çdo kusht prioritet edhe atë në një periudhë të kufizuar kohore.

Për zgjedhjet e ardhshme presidenciale Taravari potencoi se për këtë çështje flasin në organet e partisë dhe thekson se të gjitha opsionet janë të mundshme. Ai, gjithashtu, nuk e përjashtoi mundësinë për bashkëpunim me këdo, megjithatë, siç thotë, të shohim dhe të marrim vendimin më të mençur. 

Taravari theksoi se ende nuk e dinë se cilët do të jenë kandidatët, edhe pse për shefin aktual të shtetit Stevo Pendarovski tha se ka mendim pozitiv. 

"Pendarovski sinqerisht e ka dëshmuar veten si president relativisht i mirë. Mund të them edhe ndër më të mirët në 30 vitet e fundit në Maqedoni. Gjithmonë mundet më mirë, megjithatë nuk ka pasur konflikte, probleme, duke mbajtur anën e ndonjë partie. Disi ai e ruajti indiferencën e tij. Ishte pak ambivalent, mund të ishte më ambicioz. Megjithatë, mendoj se ai përgjithësisht lë përshtypjen e një personi pozitiv", tha lideri i Aleancës për Shqiptarët, Taravari. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR