Takime të Gashit në kuadër të vizitës zyrtare në Suedi
- - Në kuadër të ditës së parë të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Suedisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi dhe deputetët Dafina Stojanoska, Bekim Sali dhe Mitko Trajçuleski, realizuan takim me Kristian Danielson, sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili është edhe ish-drejtor i Drejtorisë për Zgjerimin e BE-së dhe Politikat e Fqinjësisë.
- Post By Fitore Curri
- 18:22, 2 dhjetor, 2024
Shkup, 2 dhjetor 2024 (MIA) - Në kuadër të ditës së parë të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Suedisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi dhe deputetët Dafina Stojanoska, Bekim Sali dhe Mitko Trajçuleski, realizuan takim me Kristian Danielson, sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili është edhe ish-drejtor i Drejtorisë për Zgjerimin e BE-së dhe Politikat e Fqinjësisë.
Siç informojnë nga Kuvendi, Gashi theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti më i rëndësishëm strategjik dhe i politikës së jashtme, i ndjekur nga respektimi i vlerave evropiane dhe zbatimi i standardeve evropiane. Ai theksoi se rruga integruese evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut kushtëzohet me ndryshimin e Kushtetutës, hap që teknikisht shteti është i gatshëm ta ndërmarrë, por në të njëjtën kohë duhet pasur parasysh se respektimi i dinjitetit, integrimeve evropiane dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë plotësisht plotësuese dhe me interes të ndërsjellë për të gjitha vendet e rajonit. Deputetët dhe Kryetari falënderuan për mbështetjen e vazhdueshme nga Mbretëria e Suedisë dhe kërkuan ndihmën konstruktive nga miqtë dhe mbështetësit tanë që të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Sekretari shtetëror Danielson nënvizoi se Suedia mbetet mbështetëse e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Duke theksuar se institucionet e BE-së janë duke zhvilluar diskutime për përgatitjet e nevojshme institucionale dhe financiare për integrimin e anëtarëve të rinj dhe u shpreh shpresa se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin së shpejti, të cilat do të mundësojnë hapjen e kapitujve dhe anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sa më shpejt të jetë e mundur, duke respektuar Kriteret e Kopenhagës.
Delegacioni i Kuvendit, i kryesuar nga kryetari Gashi, pati takim pune edhe me dr. Majk Vinerstig, udhëheqës i Departamentit të Politikave të Sigurisë në Agjencinë Suedeze të Kërkimeve të Mbrojtjes. Kjo agjenci është një nga institutet kërkimore evropiane lider në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e cila punon në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, por gjithashtu kryen kërkime për shumë organe të tjera qeveritare, komuna dhe kompani, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Në takim u diskutuan mendimet dhe qëndrimet për anëtarësimin e Suedisë në NATO, mbështetjen e qytetarëve për vendimin e tillë, si dhe u diskutuan rreziqet dhe kërcënimet aktuale të sigurisë globale.
Në kuadër të vizitës zyrtare, Gashi dhe deputetët takuan Sekretarin e Përgjithshëm të Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, Kevin Kasas-Zamora. Instituti është organizatë ndërqeveritare me mandat për të mbështetur demokracinë e qëndrueshme në mbarë botën. Instituti punon në 35 vende të botës dhe harton analiza në lidhje me zgjedhjet, parlamentet, çështjet kushtetuese, digjitalizimin, ndryshimet klimatike, përfshirjen dhe përfaqësimin politik, të gjitha nën ombrellën e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu informoi se Instituti ndihmon vendet që kanë aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në këtë drejtim u diskutuan mundësitë për vendosjen e bashkëpunimit të përbashkët dhe institucional. fc/
Fotografia: Kuvendi i RMV-së