• e martë, 20 janar 2026

Takim virtual për përpjekjet paqësore të SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Takim virtual për përpjekjet paqësore të SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Kiev, 30 dhjetor 2025 (MIA) – Liderët evropianë, kryeministri i Kanadasë, krerët e institucioneve evropiane dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, si dhe përfaqësuesit ukrainas në takimin e sotëm virtual diskutuan për përpjekjet paqësore të udhëhequra nga SHBA-ja për t'i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Pas takimit, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk deklaroi se "paqja është në horizont".

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, takimin e vlerësoi si një bisedë të mirë për mbështetjen e sigurisë dhe rindërtimin e Ukrainës.

"Në fund prosperiteti i një shteti të lirë ukrainas qëndron në anëtarësimin në BE. Kjo është gjithashtu një garanci kyçe sigurie në vetvete", publikoi Lajen në Iks. 

Edhe kancelari gjerman Fridrih Merc shprehu optimizëm se "procesi i paqes po ecën përpara".

Ai në një publikim në Iks bëri thirrje për “transparencë dhe ndershmëri nga të gjithë, përfshirë Rusinë”.

Ndërkohë, Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrij Sibiha deklaroi se Rusia nuk ka siguruar prova të besueshme për akuzat se Ukraina është përpjekur të sulmojë rezidencën e Presidentit rus Vladimir Putin në rajonin e Novgorodit me 91 dronë me rreze të gjatë veprimi. Sulmi ka ndodhur menjëherë pas takimi midis presidentëve të SHBA-së dhe Ukrainës Donald Tramp dhe Volodimir Zelenski në Florida.

Ukraina i mohon akuzat e Moskës. Sibiha në Iks publikoi se "nuk ka ndodhur një sulm i tillë".

Zelenski dje theksoi se pretendimet e Rusisë janë "një tjetër gënjeshtër" me qëllim të sabotohen përpjekjet paqësore.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, sot deklaroi se sulmi ukrainas kishte për qëllim “pengimin e përpjekjeve të Presidentit Tramp për të promovuar një zgjidhje paqësore” për luftën. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR