• e diel, 22 dhjetor 2024

Takim Sholc- Erdogan në “momente të vështira”

Takim Sholc- Erdogan në “momente të vështira”

Berlin, 17 nëntor 2023 (MIA) - Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan sot nga Berlini, ku u takua me kancelarin gjerman Olaf Sholc bëri thirrje për armëpushim humanitar në Gaza, njofton DPA.

Erdogani shprehu mbështetje për lëvizjen islamike Hamas dhe sulmoi ashpër bombardimet izraelite në Gaza, derisa Sholc e siguroi Izraelin për solidaritetin gjerman dhe theksoi njëherësh të drejtën e Izraelit të mbrohet pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor.

Nëse Gjermania dhe Turqia mund të ndihmojnë së bashku në arritjen e një armëpushimi, do të ketë gjasa të shpëtohet rajoni nga "unaza e zjarrit", tha Erdogani në konferencën e përbashkët për shtyp me Sholcin para bisedimeve me liderin gjerman.

Kjo është vizita e tij e parë në Gjermani pas thuajse katër vitesh.

Të gjithë duhet të punojnë për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, tha tutje Erdogani.

Megjithëse Erdogani dënoi vrasjen e qindra civilëve izraelitë në sulmin e 7 tetorit, ai më vonë e përshkroi Hamasin si një "organizatë çlirimtare".

Sholci më parë hodhi poshtë komentet e Erdoganit për Izraelin si "absurde".

Megjithatë, Erdogani ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e tij për një zgjidhje me dy shtete, një qëndrim që ndan edhe Gjermania.

Kancelari gjerman nënvizoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me presidentin turk duke pasur parasysh pikëpamjet e tyre të ndryshme për konfliktin në Lindjen e Mesme.

“Z. president, nuk është sekret që kemi pikëpamje shumë të ndryshme për konfliktin”, tha Sholci në konferencën për shtyp para darkës me Erdoganin.

“Pikërisht për këtë bisedimet tona janë të rëndësishme, veçanërisht në momente të vështira na duhet dialog i drejtpërdrejtë mes nesh", transmeton DPA deklaratën e Sholcit...

Bisedimet mes Erdoganit dhe Sholcit duhet të përfshijnë më shumë tema përfshirë edhe pranimin e Suedisë në NATO për çka momentalisht diskutohet në Parlamentin turk. Miratimi i Turqisë është i domosdoshëm për Suedinë që të jetë anëtare e NATO-s.

Foto: DPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR