Takim përgatitor me haxhinjtë nga myftinia e Dibrës
- Përfaqësuesit e Myftinisë së Dibrës kanë mbajtur takim përgatitor me besimtarët që këtë vit udhëtojnë për në vendet e shenjta të Mekës dhe Medinës.
- Post By Fami Bajrami
- 12:04, 14 qershor, 2023

Dibër, 14 qershor 2023 (MIA) - Përfaqësuesit e Myftinisë së Dibrës kanë mbajtur takim përgatitor me besimtarët që këtë vit udhëtojnë për në vendet e shenjta të Mekës dhe Medinës.
"Në një atmosferë të ngrohtë dhe vëllazërore u mbajt takimi përgatitor me grupin e haxhinjëve të cilët këtë vit do të udhëtojnë në vendet e shenjta për të kryer shtyllën e pestë islame-Haxhin. Pelegrinëve u janë dhanë të gjitha rekomandimet dhe këshillat e nevojshme për kryerjen e këtij obligimi sa më mirë dhe konform me normat dhe rregulloret islame”, ka njoftuar imami Orhan Zengo, sekretar i myftinisë.
Ai shtoi se të premten me namazin e ikindisë në xhaminë e Sahat kullës për haxhinjtë nga myftinia do të ketë një dua (lutje) për dërgimin në vendet e shenjta.
"Nisja e haxhinjëve për këtë vit nga qyteti ynë për në Mekë do të bëhet më 17 qershor, të shtunën në orën 19 para xhamisë së Sahat kullës për në aeroportin e Shkupit. Në emër të myftinisë, haxhilerëve tanë u urojmë udhëtim të mbarë, shëndet, pranim të Haxhit dhe lutjeve dhe kthim të sigurt në familjet e tyre", ka thënë Zengo.
Nga Myftinia e Dibrës e cila përfshin komunat Dibër, Qendër Zhupë dhe zonën e Rekës, komunë e Mavrovës dhe Rostushës, këtë vit në pelegrinazh do të shkojnë 30 besimtarë, krahasuar me vitin e kaluar kur kishte 12 besimtarë.
Siç informoi ditë më parë për MIA-n, Irsel Yakupi, sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame nga vendi ynë këtë vit për në Haxh udhëtojnë 2.030 besimtarë që është numër dyfish më i lartë se vitin e kaluar kur në vendet e shenjta ishin 919 besimtarë.
Foto: Myftinia e Dibrës