Takim Nikolloski - Tomas në Londër: Në fokus bashkëpunimi ekonomik dhe strategjik mes dy vendeve
- Maqedonia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë marrëdhënie të fuqishme ekonomike, bashkëpunimi tregtar është në nivel të lartë, ndërsa shohim mundësinë që një bashkëpunim i tillë të forcohet përmes investimeve të reja dhe transferimit të përvojave dhe njohurive të reja, theksoi nënkryetari i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski në takimin me Garet Tomas, ministër për Ekonomi dhe eksporte në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, kumtoi Ministria e Transportit.
- Post By Fami Bajrami
- 15:59, 23 prill, 2025

Shkup, 23 prill 2025 (MIA) - Maqedonia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë marrëdhënie të fuqishme ekonomike, bashkëpunimi tregtar është në nivel të lartë, ndërsa shohim mundësinë që një bashkëpunim i tillë të forcohet përmes investimeve të reja dhe transferimit të përvojave dhe njohurive të reja, theksoi nënkryetari i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski në takimin me Garet Tomas, ministër për Ekonomi dhe eksporte në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, kumtoi Ministria e Transportit.
Mbretëria e Bashkuar është partner strategjik dhe përkrahës i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë në zhvillimin rajonal. Prej këtu, siç potencoi zëvendëskryeministri Nikolloski, investimet nga Mbretëria e Bashkuar kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë.
Siç kumtoi Ministria e Transportit, në takimin në të cilën u prezantuan kushtet e investimit, janë diskutuar zhvillimet e reja në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, me fokus të veçantë investimet në infrastrukturë. Pastaj u theksua se Maqedonia është në një cikël të fuqishëm investues, veçanërisht në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, si segment i rëndësishëm në zhvillimin rajonal.
Zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi reformat ekonomike dhe zhvillimin e vendit, pastaj theksoi mundësinë e krijimit të partneriteteve të reja strategjike midis Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në zhvillimin dhe realizimin e projekteve infrastrukturore rajonale.
Në takim u konfirmuan edhe marrëdhëniet e mira politike midis dy vendeve.
Delegacioni i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Nikolloski sot vazhdon vizitën e punës në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të zhvillohen një sërë takimesh me bashkësinë e biznesit në Londër, ndërsa nesër do të zhvillojë takim dhe me Stefan Doti, ministër përgjegjës për Evropë, si dhe me Dejm Karen të dërguarin e posaçëm të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Vizita në Mbretërinë e Bashkuar, siç thuhet në kumtesë, është në kuadër të politikave të qeverisë për forcimin e marrëdhënieve strategjike midis dy vendeve dhe mundësinë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.
Në strukturën e tregtisë së jashtme, Mbretëria e Bashkuar është renditur në vendin e dytë në listën e vendeve me të cilat Maqedonia realizon vëllim më të madh të shkëmbimeve tregtare. rq/
Foto: Ministria e Transportit