Takim në Qeveri kushtuar Agjendës së reformave
- Në Qeveri sot është mbajtur takim kushtuar Agjendës së reformave, ku kanë marrë pjesë disa ministra, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski.
- Post By Besnik Shuki
- 16:09, 18 janar, 2026
Shkup, 18 janar 2026 (MIA) - Në Qeveri sot është mbajtur takim kushtuar Agjendës së reformave, ku kanë marrë pjesë disa ministra, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski.
"Sot kemi mbajtur takim kushtuar agjendës së reformave, ku u bisedua për prioritetet vijuese, sfidat dhe hapat e ardhshme për avancimin e proceseve reformuese", qëndron në publikimin e kryeministrit në profilin e tij në Fejsbuk.

Mickoski njoftoi se u shkëmbyen mendime dhe propozime me qëllim zbatimin më efikas dhe koordinimin më të mirë midis të gjitha palëve të përfshira.
Paraprakisht, në deklaratë për mediat, kryeministri deklaroi se qëllimi është që së pari të përfundohen detyrat e shtëpisë që lidhen me Agjendën e reformave, e pastaj i mbetet BE-së nëse do të vazhdojë të bilateralizojë procesin tonë të pranimit.
"Rruga e integrimit evropian të Maqedonisë është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me vullnetin e 27 shteteve anëtare, njëra prej të cilave është Bullgaria. Ju e dini që kemi problem me ta, por ne synojmë të përfundojmë detyrat tona të shtëpisë, të përgatitemi, të përfundojmë të gjitha ato çështje të hapura që lidhen me Agjendën e reformave, të mbyllim të gjitha ato reforma që kemi planifikuar t'i mbyllim", tha Mickoski.
Ai shtoi se pasi t'i bëjmë të gjitha këto, atëherë do t'ua lëmë 27 shteteve anëtare të vendosin nëse do ta bilateralizojnë këtë proces apo nëse do të bazohet në kriteret që kishin të gjitha vendet që janë inkuadruar në këtë aleancë, respektivisht në BE.
Kryeministri Mickoski prej nesër e deri më 23 janar do të marrë pjesë në Forumin ekonomik botëror në Davos të Zvicrës, që këtë vit mbahet nën moton "Në frymën e dialogut". bsh/
Foto: Fejsbuk profili i Hristijan Mickoskit