Takim mes ministrit Limani dhe deputetit në Këshillin kombëtar të Austrisë, Robert Laimer
- Ministri për politikë sociale, demografi dhe rini, Fatmir Limani, gjatë vizitës së tij në Austri realizoi një takim zyrtar me deputetin në Këshillin Kombëtar të Austrisë dhe përfaqësuesin e Partisë Socialdemokrate të Austrisë, Robert Laimer, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy vendeve.
- Post By Fami Bajrami
- 12:30, 11 qershor, 2025
Shkup, 11 qershor 2025 (MIA)- Ministri për politikë sociale, demografi dhe rini, Fatmir Limani, gjatë vizitës së tij në Austri realizoi një takim zyrtar me deputetin në Këshillin Kombëtar të Austrisë dhe përfaqësuesin e Partisë Socialdemokrate të Austrisë, Robert Laimer, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy vendeve.
Në fillim të takimit, ministri shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin e thellë për tragjedinë që ndodhi në qytetin Grac, duke përcjellë mbështetjen dhe afërsinë e sinqertë të popullit tonë ndaj qytetarëve dhe familjeve të prekura nga ky rast tragjik.
“Biseda ka qenë e fokusuar në mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e politikës sociale, punësimit, fuqizimit të të rinjve dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve. Z.Laimer ndau praktikat e suksesshme austriake në zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të mbrojtjes sociale, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të barazisë sociale dhe kushteve të denja të punës për të gjithë qytetarët”, thuhet në kumtesë.

Ministri theksoi rëndësinë e përkushtimit të Laimerit për përmirësimin e dialogut ndërparlamentar dhe nxitjen e partneritetit institucional, duke vënë në dukje përkushtimin tonë për zbatimin e reformave të qëndrueshme që do të kontribuojnë në përmirësimin e standardit të jetesës, mbështetjen e kategorive të cenueshme dhe krijimin e mundësive të reja për punësim, në veçanti për të rinjtë dhe gratë.
“Të dyja palët shprehën gatishmëri për të bashkëpunuar në projekte në fushat e trajnimit profesional, përfshirjes sociale, zhvillimit të shërbimeve moderne sociale dhe mbështetjes së grupeve më të cenueshme në shoqëri. Në takim u theksua rëndësia strategjike e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vendit tonë, si garanci për stabilitet të qëndrueshëm shoqëror, zhvillim ekonomik afatgjatë dhe përafrim të politikave kombëtare me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian”, thuhet në kumtesë.
Foto: Ministria për politikë sociale, demografi dhe rini