• e hënë, 23 dhjetor 2024

Takim me misionin e FMN-së, masat e BP-së me kontribut pozitiv për inflacionin dhe rezervat devizore, por rreziqet ende ekzistojnë

Takim me misionin e FMN-së, masat e BP-së me kontribut pozitiv për inflacionin dhe rezervat devizore, por rreziqet ende ekzistojnë

Shkup, 14 shtator 2023 (MIA) - Vendimet e deritanishme të Bankës Popullore për rritjen e normës bazë të interesit, si dhe masat e tjera për normalizimin e politikës monetare, ndikuan në uljen e inflacionit, por edhe në stabilizimin e tregut devizor dhe në rritjen e rezervave devizore. Megjithatë, rreziqet ende ekzistojnë, prandaj Banka Popullore duhet të vazhdojë të udhëheqë një politikë të kujdesshme dhe të marrë masat e nevojshme.

Kjo u theksua në takimin e guvernatores, Anita Angelovska-Bezhoska, me shefin aktual të misionit, Zhak Minian, shefen e re të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Anet Zhaklin Kjobe, si dhe me zëvendësguvernatorët e Bankës Popullore.

Banka Popullore njofton se masat që kanë marrë së bashku me lëvizjet e favorshme të çmimeve botërore të produkteve primare kanë kontribuar në uljen graduale të inflacionit, i cili aktualisht është 8.3 për qind. Masat, theksojnë ata, kanë kontribuar edhe në stabilizimin e euroizimit, që së bashku me arritjet më të favorshme në bilancin e pagesave në gjysmën e parë të vitit në raport me projeksionet sollën një rritje më të lartë se sa pritej të rezervave devizore.

Ecuria më e mirë, sipas BP-së, është për shkak të deficitit më të vogël tregtar dhe transfertave private më të favorshme. Kështu, edhe në fund të gushtit 2023, rezervat zyrtare devizore janë në nivelin e duhur dhe arrijnë në 3,934.2 milionë euro, pjesërisht falë ndërhyrjeve të blerjes së devizave në tregun devizor nga Banka Popullore.

"Përfaqësuesit e FMN-së theksuan se masat e Bankës Popullore kanë kontribut pozitiv edhe për inflacionin, dhe për rezervat devizore, por duke e marrë parasysh atë se ende ka pasiguri dhe rreziqe, Banka Popullore do të duhet edhe më tutje të udhëheqë politikë kujdesi dhe t'i ndërmarrë masat e domosdoshme", thuhet në kumtesë.

Guvernatorja Angelovska-Bezhoska falënderoi shefin e misionit të FMN-së, Zhak Minijan, duke theksuar se bashkëpunimi i frytshëm i deritanishëm ka rezultuar me shumë projekte dhe aktivitete të rëndësishme. Ajo theksoi se Banka Popullore do të punojë me të njëjtin intensitet edhe në të ardhmen, duke zbatuar standarde të larta ndërkombëtare. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR