• e premte, 05 dhjetor 2025

Takim i Siljanovska Davkovës me Alen Berse: Këshilli i Evropës ka legjitimitet për tu angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat gjeopolitike bashkëkohore

Takim i Siljanovska Davkovës me Alen Berse: Këshilli i Evropës ka legjitimitet për tu angazhuar  në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat gjeopolitike bashkëkohore

Shkup, 11 tetor 2025 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u takua në Venecia me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alen Berse, në prag të festimit të 35-vjetorit të Komisionit të Venedikut.

Siç informojnë nga Kabineti i presidentes, në takim u shkëmbyen pikëpamje mbi situatën aktuale në kontinentin evropian. Bashkëbiseduesit ranë dakord se, si institucioni më i vjetër dhe më përfaqësues evropian, Këshilli i Evropës ka legjitimitetin për t'u angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat gjeopolitike bashkëkohore. Në këtë kontekst, sekretari i përgjithshëm Berse tha se në një kohë të militarizimit në rritje të kontinentit dhe regresit të demokracisë, është e nevojshme të forcohen institucionet demokratike.

Presidentja përshëndeti Paktin e ri demokratik për Evropën të Këshillit të Evropës, duke vlerësuar se iniciativa mund të ndihmojë në forcimin e konsolidimit demokratik të shteteve evropiane për shkak të rezistencës së tyre më të madhe ndaj tendencave autoritare në rritje.

Duke iu referuar integrimit evropian të Maqedonisë, presidentja theksoi se për shkak të bilateralizimit, procesi i integrimit, në vend që të nënkuptojë përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, po keqpërdoret për të imponuar një rishikim të historisë. Sipas saj, përmbushja e detyrimeve dhe rekomandimeve të Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venedikut, si dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duhet të jetë detyrim i secilit prej shteteve anëtare.

Nga Kabineti i presidentes informuan se lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor, sekretari i përgjithshëm Berse theksoi se nëse nuk hidhen poshtë standardet e dyfishta, Bashkimi Evropian do të humbasë jo vetëm besueshmërinë e tij, por edhe aftësinë e tij për të vepruar në rajon. sa/

Foto: Kabineti i Gordana Siljanovska Davkovës

QËNDRONI TË LIDHUR