• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Takim i përfaqësuesve të Azerbajxhanit dhe Armenisë në Bruksel

Takim i përfaqësuesve të Azerbajxhanit dhe Armenisë në Bruksel

Bruksel, 26 shtator 2023 (MIA) - Nën patronazhin e kryetarit të Këshillit të BE-së, Sharl Mishel, u mbajt sot në Bruksel takim i këshilltarit të Politikës së Jashtme të kreut të shtetit azerbajxhanas, Hikmet Haxhiev dhe sekretarit të Këshillit të sigurimit armen, Armen Grigorjan, në të cilin u bisedua për takim të mundshëm dypalësh të Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Alijev dhe kryeministrit të Armenisë, Nikoll Pashinijan, në margjinat e Samitit të tretë të Bashkësisë Politike Evropiane më 5 tetor të vitit 2023 në qytetin spanjoll Granada, si dhe situatën aktuale në terren dhe përpjekjet për të përmbushur nevojat urgjente të popullatës lokale nga Nagorno-Karabahut", njoftoi Këshilli Evropian.

Në takimin, nikoqirët e të cilit ishin këshilltarët diplomatikë të Mishelit, Simon Mordu dhe Magdalena Grono, ishin të pranishëm edhe këshilltarët e presidentit francez Emanuel Makron, Emanuel Bon dhe të kancelarit gjerman Olaf Sholc, Jens Pletner, si dhe përfaqësuesi special të BE-së për Kaukazin e Jugut dhe krizën në Gjeorgji, Toivo Klar.

Siç lajmëroi korrespodenti i MIA-s nga Brukseli, në kumtesën e Këshillit Evropian, bëhet e ditur se në takimin, në të cilin shkurtimisht ka qenë i pranishëm edhe Misheli, përfaqësuesit e BE-së kanë bërë të ditur se Bashkimi po ndjekë nga afër zhvillimet rreth Nagorno-Karabahut dhe është i angazhuar për të ndihmuar në zbutjen e pasojave të armiqësive mbi popullatën civile, me ç'rast kanë përsëritur pozicionin e publikuar javën e kaluar për të dënuar "operacionin ushtarak të Azerbajxhanit kundër popullatës armene në Nagorno-Karabah" dhe nevojën për ndërprerje të plotë të armiqësive dhe respektimin e armëpushimit të dakorduar.

Përfaqësuesi i Azerbajxhanit Haxhiev parashtroi planet e vendit të tij për sigurimin e ndihmës humanitare dhe garantimin e sigurisë së popullatës lokale në Nagorno-Karabah, me ç'rast diplomatët evropianë kanë theksuar nevojën për të lejuar qasjen në terren të misioneve humanitare ndërkombëtare dhe të organizatave për të drejtat e njeriut, si dhe transparencën dhe më shumë detaje "për vizionin e Bakusë për të ardhmen e armenëve të Karabahut në Azerbajxhan".

"Takimi, gjithashtu, mundësoi shkëmbim intensiv të mendimeve ndërmjet pjesëmarrësve për relevancën e takimit eventual të liderëve të dy vendeve në kuadër të Samitit të tretë të Bashkësisë Politike Evropiane të planifikuar për 5 tetor të vitit 2023 në Granada", shtohet në kumtesën.

Me këtë rast, pjesëmarrësit në takim theksuan interesin e përbashkët të Azerbajxhanit dhe të Armenisë "për të shfrytëzuar takimin eventual në Granada për të vazhduar përpjekjet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve".

Në këtë drejtim, siç thekson Këshilli Evropian, është biseduar për hapat e mundshëm konkretë për përparim në procesin paqesor azerbajxhanaso-armen në takimin e ardhshëm eventual të krerëve të dy vendeve, siç janë çështjet që kanë të bëjnë me përcaktimin e kufirit të ndërsjellë, sigurinë, rivendosjen e lidhjeve, çështjet humanitare, si dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse paqësore.

"Nevojiten aktivitete konkrete dhe zgjidhje vendimtare kompromisi në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve. BE beson se Baku dhe Jerevani duhet të shfrytëzojnë takimin eventual në Granada në mënyrë që të përsërisin publikisht përkushtimin e tyre për të respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e ndërsjellë në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në Pragë dhe Bruksel", shtohet në kumtesën.

Sipas paralajmërimeve, nëse në Granadë mbahet takim ndërmjet Alijevit dhe Pashinijanit, në të  gjithashtu do të marrin pjesë edhe Makroni dhe Sholci. 

Foto: Këshilli i BE-së

QËNDRONI TË LIDHUR