Takim i nënkryetarit të Kuvendit, Milloshoski me bursistët e IPS-së
- Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Antonio Milloshoski, sot ka pritur në zyrën e tij bursistët e Bursës Ndërkombëtare Parlamentare (IPS) të Bundestagut Gjerman për vitin 2025.
- Post By Fami Bajrami
- 15:14, 28 shkurt, 2025

Shkup, 28 shkurt 2025 (MIA)- Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Antonio Milloshoski, sot ka pritur në zyrën e tij bursistët e Bursës Ndërkombëtare Parlamentare (IPS) të Bundestagut Gjerman për vitin 2025.
Në takim morën pjesë edhe Jan-Aksel Fos, zëvendësambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe Marina Dimovska, sekretare e përgjithshme e Kuvendit.
Në fillim të bisedës, nënkryetari Milloshoski i uroi bursistet për përzgjedhjen e tyre dhe theksoi se ato po largohen në Bundestag në një periudhë shumë dinamike kur është duke u konstituuar përbërja e re parlamentare në Gjermani. Ai theksoi se Kuvendi, si institucion, në vazhdimësi po punon me përkushtim për avancimin dhe promovimin e këtij programi për të gjithë të rinjtë nga vendi ynë që janë të interesuar për praktikë pranë një deputeti gjerman në Bundestagun e Republikës Federale të Gjermanisë. Para se bursistet të nisen për në Gjermani, Kuvendi u mundëson të qëndrojnë për disa ditë në institucionin tonë, qëllimi kryesor i të cilit është njohja e tyre me funksionimin e Kuvendit.
Zëvendësambasadori Fos theksoi se bursistet do të kenë mundësinë të mësojnë për punën e Bundestagut në një kohë tranzicioni midis përbërjes së vjetër dhe asaj të re të Parlamentit Gjerman dhe kur priten ndryshime të mëdha në botë, të cilat do të kërkojnë ndarjen e më shumë mjeteve në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë. Priten edhe ndryshime në politikat e imigracionit të Gjermanisë.
Sekretarja e përgjithshme Dimovska u ka uruar bursisteve suksese në punën e tyre në Bundestag. Theksoi se ato janë ambasadore të vendit tonë në Gjermani dhe pret që me kthimin e tyre të transferohen njohuritë dhe përvojat e fituara në vendin tonë. Ajo falënderoi për projektet e vazhdueshme dhe bashkëpunimin me Bundestagun dhe shprehu besimin e saj për bashkëpunim të mëtejshëm të suksesshëm me Gjermaninë si partnerin tonë të rëndësishëm.
Praktikantet Rosana Jovanova dhe Nedina Gjorgjieva shprehën mirënjohjen e tyre për të gjithë mbështetjen që marrin nga të gjitha anët për realizimin e këtij Programi dhe presin që ai t'u sjellë zhvillim profesional dhe personal që do ta transferojnë në vendin tonë pas kthimit.
Foto: Kuvendi i RMV-së