• e premte, 05 dhjetor 2025

Takim i ministrit Murtezani me ambasadoren jo-rezidente të Danimarkës, Pernil Daler Kardel

Takim i ministrit Murtezani me ambasadoren jo-rezidente të Danimarkës, Pernil Daler Kardel

Shkup, 25 shkurt 2025 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot pati takim me ambasadoren jo-rezidente të Mbretërisë së Danimarkës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Beograd, Pernill Daler Kardel. Theksi i bisedës ishte mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe perspektivat rajonale për zgjerim, kumtoi MÇE.

Ministri Murtezani shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit. Ministri dhe Ambasadorja theksuan rëndësinë e përmbushjes së kritereve të Kopenhagës si kusht kyç për një integrim të suksesshëm në Bashkimin Evropian.

Palët konstatuan se kriteret e Kopenhagës, të cilat përfshijnë institucione stabile që garantojnë demokracinë, sundimin e së drejtës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe funksionimin e ekonomisë së tregut, paraqesin bazë të rëndësishme për proceset tona reformuese dhe progresin drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Në takim u njoftua vizita e ministres për Çështje Evropiane të Mbretërisë së Danimarkës, Mari Bjere, në prill të këtij viti, shtojnë nga Ministria.

Murtezani theksoi se kjo vizitë do të jetë e rëndësishme për vazhdimin e dialogut mbi dosjen tonë evropiane, veçanërisht në dritën e kryesimit të ardhshëm të Këshillit të BE-së, që nga 1 korriku i këtij viti Danimarka do ta marrë nga Polonia.

Palët u përqendruan edhe në prioritetet e kryesimit danez, me theks të veçantë në Maqedoninë e Veriut dhe rajonin, duke theksuar se, në kushtet e sfidave gjeopolitike aktuale, ringjallja praktike e politikës së zgjerimit paraqet një imperativ dhe faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe më gjerë. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR