• e hënë, 23 dhjetor 2024

Takim i Xhaferit me Delegacionin e Komisionit të Çështjeve Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Takim i Xhaferit me Delegacionin e Komisionit të Çështjeve Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Shkup, 5 qershor 2023 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Delegacionin e Komisionit të Çështjeve Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të paraprirë nga kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi.

Siç bën të ditur shërbimi për informim i Kuvendit, në përbërje të Delegacionit ishin deputetët: Fjolla Ujkani, zëvendëskryetare e Komisionit dhe anëtarët Agon Batusha, Alban Bajrami, Shqipe Isufi, Driton Hyseni, Elmi Reçica dhe Time Kadrija. Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Komisionit të Çështjeve Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi.

"Kjo vizitë është konfirmim i bashkëpunimit të frytshëm dhe të suksesshëm ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës", theksoi Xhaferi. 

Xhaferi gjithashtu vlerësoi se marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy shteteve janë pa çështje të hapura dhe karakterizohen me dialog të hapur dhe bashkëpunim të suksesshëm në fushat e shumta me interes të ndërsjellë. Në lidhje me bashkëpunimin ekonomik, ai theksoi se Republika e Kosovës është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë së Veriut, me suficit të konsiderueshëm nga ana jonë, proporcionalitet i cili duhet të përmirësohet në të ardhme. Ai u ndal edhe në projektet e ndërlidhjes infrastrukturore, si mundësi për afrimin e mëtejshëm të qytetarëve dhe e potencoi rëndësinë e ndërlidhjes përmes Korridorit 8.

Kryetari i Kuvendit foli edhe për kryesimin tonë me OSBE-në, dhe për kryesimin e ardhshëm me Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. E nënvizoi mbështetjen pa rezervë të Maqedonisë së Veriut për aspiratat euro-atlantike të Republikës së Kosovës, dhe për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rrezarta Krasniqi, shprehu falënderim për mbështetjen parimore të Maqedonisë së Veriut, sidomos në planin e integrimeve evropiane.

"Kosova tani më ka parashtruar aplikimin për anëtarësim në BE. Përvoja e Maqedonisë së Veriut e cila është në fazë më të përparuar të këtij procesi, është në dobi të madhe për rrugën euro-integruese të Kosovës, ndërsa takimi i sotëm i përbashkët i dhomave ligjvënëse të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës mund të kontribuojë në masë të madhe në këtë plan", potencoi Krasniqi.

Në takim u bë fjalë edhe për gjendjen aktuale në pjesën veriore të Kosovës, me ç’rast mendimet e veta i shpalosën deputetët e pushtetit dhe opozitës në Kuvendin e Republikës së Kosovës. U theksua nevoja për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me partnerët strategjikë të Kosovës, si edhe bindja se takimet e radhës me emisarët special të BE-së dhe SHBA-ve do të kontribuojnë në ndalimin e përshkallëzimit të gjendjeve.

Xhaferi theksoi se në vend përcillet me vëmendje gjendja në Kosovë dhe e potencoi nevojën për ruajtjen e komunikimit dhe dialogut të ndërsjellë, duke sugjeruar se institucionet kosovare duhet të ruajnë kontrollin në interes të qytetarëve. Ai po ashtu bëri apel për bashkim për këto çështje ndërmjet përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës së Kosovës, me qëllim që tu vihet fund tensioneve.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën shpresë se kjo vizitë do të kontribuojë në avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR