Takim i Gashit me delegacionin e Kuvendit të madh kombëtar turk: komunikimi i shpeshtë - konfirmim i miqësisë së madhe
- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, priti Delegacionin e Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Turqi-Maqedoni e Veriut, të Kuvendit të Madh Kombëtar Turk i cili ndodhet në një vizitë tre-ditore në vend.
- Post By Sara Ademi
- 15:22, 25 qershor, 2025
Shkup, 25 qershor 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, priti Delegacionin e Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Turqi-Maqedoni e Veriut, të Kuvendit të Madh Kombëtar Turk i cili ndodhet në një vizitë tre-ditore në vend.
Siç informojnë nga shërbimi për shtyp i Kuvendit, në takimin e kryetarit Gashi me deputetët turq, u konkludua se komunikimi dypalësh është intensifikuar në shumë nivele në vitin e fundit, si një konfirmim tjetër i miqësisë së madhe dhe tradicionale midis dy vendeve dhe popujve. Kryetari Gashi shprehu mirënjohje për ndihmën nga Turqia për trajtimin e të lënduarve në tragjedinë që ndodhi në mars të këtij viti në Koçan.

Ai gjithashtu mbështeti thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar, duke treguar mundësinë e intensifikimit të komunikimit midis trupave punues që mbulojnë të njëjtat fusha në të dy parlamentet.
Kryetari i Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Turqi-Maqedoni e Veriut të Kuvendit të Madh Kombëtar Turk, Ahmet Kiliç, theksoi se në muajt e fundit ka pasur një intensifikim serioz të takimeve dypalëshe të nivelit të lartë, gjë që kontribuon në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.
Duke folur për marrëdhëniet ekonomike, Kiliç theksoi se tashmë është vendosur një qëllim i ri në këtë fushë, pasi shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë tejkaloi shifrën e një miliard dollarëve.
Në takim u shkëmbyen mendime edhe për rolin e komunitetit turk në vend, për investimet turke, si dhe për mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit në shumë fusha të tjera, siç janë arsimi, shëndetësia apo turizmi. sa/
Foto: Kuvendi