Takim i drejtorëve të Agjencisë për Investime të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë
- Drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovimin e Eksportit të Maqedonisë së Veriut, Gazmend Abdia sot në Tiranë realizoi takim me drejtorin e Agjencisë për Zhvillim dhe Investime të Shqipërisë, AIDA, Sokol Nano.
- Post By Sheriban Kllokoci
- 19:29, 18 maj, 2023

Tiranë, 18 maj 2023 (MIA) - Drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovimin e Eksportit të Maqedonisë së Veriut, Gazmend Abdia sot në Tiranë realizoi takim me drejtorin e Agjencisë për Zhvillim dhe Investime të Shqipërisë, AIDA, Sokol Nano.
"Takimi u mbajt në kuadër të përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit midis institucioneve. Gjatë takimit, bashkëbiseduesit e kanë ndarën përvojën e tyre për lehtësimin dhe tërheqjen e investimeve të huaja, si edhe për realizimin e projekteve të përbashkëta investuese", publikuan nga kabineti i Nanos.
Sipas burimit të njëjtë, bashkëbiseduesit janë dakorduar për organizimin e një takimi të ardhshëm në Shkup, me qëllim prej afër të njoftohen me punën e Invest Maqedonia e Veriut (Invest North Macedonia) si edhe me punën e zonave të lira ekonomike në Maqedoninë e Veriut.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti për Statistikë i Shqipërisë (INSTAT), shkëmbimi tregtar me Maqedoninë e Veriut është 12,5 miliardë lekë (rreth 120 milionë euro) në katër muajt e parë të këtij viti.
FOTO: AIDA