• e hënë, 23 dhjetor 2024

Takim Besimi-Basani: BB vazhdon me përkrahjen e politikave zhvillimore të vendit, përmes Strategjisë së partneritetit

Takim Besimi-Basani: BB vazhdon me përkrahjen e politikave zhvillimore të vendit, përmes Strategjisë së partneritetit

Tivar, 26 maj 2023 (MIA) -  Realizimi i projekteve në vend, të cilat janë pjesë e Strategjisë së partneritetit të Republikës së Maqedonisë me Bankën Botërore për periudhën 2019-2023, aktivitetet që janë duke u zhvilluar dhe thellimi i këtij bashkëpunimi ishin temë e takimit të sotëm të ministrit të Financave, Fatmir Besimi me zëvendëskryetaren e Bankës Botërore, Antonella Basani dhe zëvendëskryetarin rajonal të IFC-së, Alfonso Garcia Mora.

Nga Ministria e Financave informojnë se projektet infrastrukturore, ndërtimi i rrugëve lokale, modernizimi i arsimit, dixhitalizimi janë vetëm disa nga fushat në të cilat është fokusuar strategjia. Përkrahje e konsiderueshme i dedikohet edhe sektorit energjetik, veçanërisht nëpërmjet përmirësimit të efikasitetit energjetik, fushë kjo që do të jetë  edhe në të ardhmen ndër prioritetet kryesore për tejkalimin e sfidave që sjell kriza energjetike, si dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike.

"Identifikimi i duhur i prioriteteve ka rëndësi të madhe për realizimin e sukseshëm të programit të ri dhe arritjen e qëllimeve të vendosura. Prioritetet që do të integrohen në Strategjinë e re duhet të rezultojnë nga ajo që është definuar si prioritet i Qeverisë në dokumentet strategjike nacionale, si dhe Programin e rritjes ekonomike, që përfshin reforma kyçe të miratuara së bashku me Bashkimin Evropian, të cilat paraqesin edhe përafrim më të shpejtë të vendit në BE” theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Ndër sferat e identifikuara mbi të cilat do të bazohet bashkëpunimi i ardhshëm janë sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm të komunave, përmirësimi i cilësisë së ajrit, zhvillimi dixhital dhe tranzicioni energjetik.

Në këtë takim, u konfirmua fakti se politikat e zbatuara nga Qeveria, sigurojnë qëndrueshmëri afatmesme. Politikat e tilla, të përkrahura me projekte të konsiderueshme investuese dhe zbatimi i reformave do të shkaktojnë përshpejtimin e normave të rritjes ekonomike.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, takimin ku mori pjesë edhe guvernatorja Anita Angellovska Bezhovska, e realizoi në margjinat e takimit të Konstituencës së FMN-së dhe BB-së, që mbahet në Tivar të Malit të Zi. sa/

Foto: Ministria e Financave

QËNDRONI TË LIDHUR