• e hënë, 07 tetor 2024

Tajani: Duam të përshpejtojmë ritmin e anëtarësimit në BE dhe ne angazhohemi para institucioneve në Bruksel

Tajani: Duam të përshpejtojmë ritmin e anëtarësimit në BE dhe ne angazhohemi para institucioneve në Bruksel

Shkup, 10 shtator 2024 (MIA) - Italia angazhohet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, vend të cilin ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm dhe mik të Italisë, porositi zëvendëskryeministri italian dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani.

I pyetur nëse Italia do të mbështesë ndryshimin e kornizës së negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, Tajani, në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, tha se kjo temë është duke u diskutuar dhe se do të pres për propozimet dhe informacionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

"Diskutimet janë në vazhdim, duhet gjetur edhe një marrëveshje me Brukselin. Ne sigurisht e mbështesim dialogun dhe nga pikëpamja strategjike do të vazhdojmë të mbështesim anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut dërgoi mesazhe të rëndësishme për t'u përgjigjur kërkesave të Evropës, ndaj Republika e Maqedonisë së Veriut do të vendosë se si do të vazhdojë dialogu me Brukselin, sepse ne jemi gjithmonë për dialog dhe dialog në çdo mënyrë të mundshme. Megjithatë, duhet të respektohen disa kërkesa, por edhe nëse do të ketë konfrontim tekniko-juridik mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, me siguri do të gjendet një zgjidhje e caktuar. Ministri tha mirë, se para çdo pengese ka zgjidhje, ndërsa ajo është anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE", deklaroi Tajani.

I pyetur për "misionin e tij" në Ballkanin Perëndimor dhe cila është ideja e tij si MPJ pas vizitave të tij në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, për atë se sa duan vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së, Tajani tha se kato janë vende evropiane, kështu që, "ata nuk mund ta shohin Kinën dhe vendet e tjera si bashkëbisedues të tyre", por si evropianë, sigurisht se shikojnë drejt BE-së.

"E qartë është se po shohin drejt BE-së, megjithatë nuk duhet të bëjmë gabimin që të zhdukim ëndrrën e mijëra të rinjve nga Ballkani, të cilët e shohin Evropën si atdheun e tyre të dytë, sepse nëse ne nuk tregojmë se duam t'ua shtrijmë dorën atyre që e kërkojnë, nëse themi nuk ju duam, shko në anën tjetër, kjo nuk është e pranueshme", deklaroi Tajani.

Italia, sqaroi Tajani, gjithmonë ka pasur marrëdhënie shumë të fortë me vendet e Ballkanit dhe këtë investim e tregon në të gjitha vizitat e tij në vendet e Ballkanit.

"Ne duam të përshpejtojmë ritmin e anëtarësimit dhe po angazhohemi para institucioneve në Bruksel, dhe shpresoj që zëri ynë të jetë autoritar dhe besoj se angazhimi ynë në favor të Ballkanit nuk është vetëm një angazhim politik, por edhe cilësor dhe angazhim kuantitativ që ka barrën e vet. Nëse e kërkon Italia, mendoj se garancia jonë është e madhe. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet bërë asgjë dhe nuk duhet të përfundojë procesi i nisur, por gjithsesi duhet t'u japim dorën atyre popujve të cilët duan të jenë me evropianët, veçanërisht miqtë tanë nga Ballkani. Çështjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen në mënyrë që të respektohen të drejtat evropiane për anëtarësim. Sigurisht, nëse nuk e bëjmë këtë, do të ketë dikush tjetër që do të dojë të na zëvendësojë. E kam fjalën për Rusinë, Kinën dhe pjesë tjera të botës. E kam fjalën për Turqinë, por asgjë nuk duhet të lihet pa përfunduar në politikë", sqaroi Tajani.

Ne, theksoi Tajani, jemi të bindur politikisht se Ballkani është pjesë integruese e BE-së. "Kjo nuk është vetëm një çështje ekonomike, por edhe për të rindërtuar dhe krijuar Evropën, e cila u nda në dy pjesë pas Luftës së Dytë Botërore. Qëllimet e dhëna nga Robert Shuman ishin krijimi i paqes dhe me qasjen e vendeve nga Ballkani, ne praktikisht po ndihmojmë realizimin e ëndrrës së këtyre themeluesve, por edhe të të rinjve që janë pjesë e Evropës", ​​deklaroi Tajani. rq/bsh/

Foto: MIA 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR