• e hënë, 23 dhjetor 2024

Tahiri: Kurti i prishi marrëdhëniet me Amerikën duke mos u koordinuar për çështje të vogla

Tahiri: Kurti i prishi marrëdhëniet me Amerikën duke mos u koordinuar për çështje të vogla

Prishtinë, 28 prill 2024 (MIA) - Ish kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që të sqarojë se si është e mundur që Kosova, e cila ishte sulmuar nga Serbia, të dënohet me sanksione nga Bashkimi Evropian dhe ishte qortuar nga SHBA-ja, derisa Serbia e cila është agresori, mbetet e pandëshkuar, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në intervistë për portalin "Ekonomia onllajn", Tahiri thotë se i mbetet Qeverisë të japë sqarim zyrtar para popullit pse Kosova ende është nën sanksione. 

Tahiri ka kritikuar kryeministrin Kurti edhe për prishjet e marrëdhënieve me Amerikën, duke mos u koordinuar paraprakisht me ta për vendimet që ka marr, ku sipas saj, Kurti me këto sjelle ka dalur me pozitë anti-amerikane duke e dëmtuar vendin.

"E para është që ne u sulmuam në Banjskë nga Serbia agresore, çfarë na ndodhi? Kosova u ndëshkua, Serbia nuk u ndëshkua. I ka takuar Kurtit dhe qeverisë të dalë dhe t'i shpjegoj popullit të Kosovës si u bë që edhe të sulmuar edhe të ndëshkuar , derisa Serbia sulmuese nuk u ndëshkua. Këtë shpjegim zyrtar i takon ta bëjë Kurti para popullit të Kosovës. Çështja tjetër e dytë është që Kurti prishi marrëdhëniet me Amerikën duke mos u koordinuar për asnjë prej këtyre çështjeve të vogla që ka pasur, as për targat, as tash për dinarin, pastaj është çështja e zgjedhjeve në veri që ishin legale, por nuk ishin legjitime", tha Tahiri.

Sipas saj u deshtë Kurti të koordinohej mirë me partnerët amerikanë, sepse "amerikanët janë ata që Kosovën e bënë shtet".

"U deshtë të koordinohej. Ai doli me pozicione antiamerikane për të cilat nuk e di pse i ndërmori. Por, gjithsesi se ato janë të dëmshme për shtetin e Kosovës", tha Tahiri, duke theksuar se "është mirë që Amerika e bëri të ditur qartë se nuk është 'prishur' me popullin e Kosovës, por është 'prishur' me qeverinë e Kosovës".

Ajo thotë se "amerikanët bëjnë aleanca me të mëdhenjtë", e jo me të vegjlit, përderisa, sipas saj, në këtë rast "Kurti është i vogël". fc/

QËNDRONI TË LIDHUR