• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Të paktën tre persona kanë humbur jetën nga stuhia në Slloveni

Të paktën tre persona kanë humbur jetën nga stuhia në Slloveni

Lubjanë, 4 gusht 2023 – Të paktën tre persona humbën jetën në stuhinë dhe përmbytjet katastrofike që përfshinë Slloveninë, njoftoi agjencia sllovene e lajmeve STA.

Një slloven vdiq në zonën Kamnik, ndërsa dy holandezë në malet në rrethin Kranj.

Reshjet rekord që shkaktuan kryesisht përmbytje në pjesën veriore të Sllovenisë nuk kanë përfunduar, paralajmërojnë meteorologët. Alarmi i kuq është shpallur në pjesën veriperëndimore, verilindore dhe qendrore të vendit.

Stuhia po lëviz nëpër Slloveninë lindore, ndërsa në Celje ka nisur evakuimi i popullsisë, ku pothuajse 12.000 përdorues kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa në pjesën perëndimore të vendit situata hidrologjike po qetësohet, por lumenjtë Poljanska Sora dhe Gradashçica janë ende zona të përmbytura.

Për shkak të situatës në vend, kryeministri Robert Golob ka ndërprerë pushimet e tij dhe, siç raporton gazeta Delo, ai sot në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes do të takohet me përfaqësues të Shtabit të Mbrojtjes Civile, ndërsa për nesër paradite është thirrur Këshill i Sigurisë Kombëtare i zgjeruar, ndërsa është paashikuar edhe seancë qeveritare.

Golob theksoi se sistemi i mbrojtjes dhe shpëtimit funksionon në rast të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera, të gjitha ekipet në terren po bëjnë çmos për të ndihmuar njerëzit. Ai gjithashtu bëri thirrje që të respektohen udhëzimet e shërbimeve kompetente dhe të mbrohet siguria personale.

Sipas të dhënave nga Njësia e Parashikimeve Hidrologjike të Agjencisë së Mjedisit të Sllovenisë, fokusi i reshjeve është zhvendosur në pjesën lindore të vendit në orët e fundit nga pellgu i Kolpës në jug deri në Korushka dhe Shtaerska në veri. Në këtë zonë, numri i lumenjve dhe përrenjve është në rritje të shpejtë, veçanërisht Mislinja, Dravinja dhe Peshnica Savinja në rrjedhën e poshtme, ndërsa zonat e përmbytura në këtë zonë do të vazhdojnë të rriten.

Përmbytjet e Savës janë kryesisht në rrjedhën e mesme, ku do të mbeten zonat e përmbytura, ndërsa në rrjedhën e poshtme përmbytjet do të intensifikohen në orët në vijim.

Zonat e përmbytura përgjatë lumenjve Mura dhe Drava në rrjedhën e poshtme nga diga e Markovcit do të rriten lehtë, ndërsa qendra rajonale e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Maribor ka regjistruar 90 ndërhyrje që nga fillimi i reshjeve të mëdha të mbrëmshme, por për momentin situata është nën kontrollin.

Lumi Drava tashmë është i tejmbushur në disa zona, veçanërisht në Maleçnik dhe Rushë.

Komandanti i Mbrojtjes Civile të Shtaerës Perëndimore, Janez Melanshek, tha se shumica e rrugëve në "Gorna Savinjska Dolina" janë të pakalueshme, deri në komunat Solçavë dhe Luça nuk mund të arrihet fare, ndërsa Mozirje është nën ujë.

"Për momentin, megjithatë, ne nuk mund t'i ndihmojmë fare njerëzit, sepse rrugët janë të mbyllura, urat janë të përmbytura dhe është plotësisht e pamundur të arrish atje", theksoi Melanshek. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR