Të paktën një i plagosur në incidentin e ri të armatosur në Bruksel
- Të paktën një person është plagosur në një incident të ri të armatosur në Bruksel, kumtoi sot policia belge, duke shtuar se mund të ketë një tjetër të plagosur që është në arrati.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:18, 11 mars, 2025

Bruksel, 11 mars 2025 (MIA) - Të paktën një person është plagosur në një incident të ri të armatosur në Bruksel, kumtoi sot policia belge, duke shtuar se mund të ketë një tjetër të plagosur që është në arrati.
Siç njofton televizioni shtetëror VRT, incidenti ka ndodhur rreth orës 23:45 në lagjen Uorst në Bruksel, kur të paktën një person ka hapur zjarr me armë automatike. Sulmuesi apo sulmuesit janë në arrati dhe policia është pas tyre.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të paktën 30 gëzhoja.
Policia njofton se i plagosuri ka marrë lëndime të lehta në dorë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pothuajse dy javë më parë, në zonën e incidentit të mbrëmshëm në Uorst, policia e Brukselit zhvilloi një operacion për përballje me trafikun e drogës, gjatë të cilit u kryen kontrolle në një numër të madh dyqanesh, zyrash dhe kafenesh.
Incidenti i mbrëmshëm vjen pas një sërë incidentesh të armatosura në Bruksel gjatë muajit të kaluar, ku dy persona mbetën të vrarë dhe tre të tjerë u plagosën.
Nga shtatë incidentet e armatosura në shkurt, gjashtë ishin në lagjen Anderleht të Brukselit, ndërsa tjetri në Sen Zhos fqinj, të cilat njihen për popullsinë e tyre më të madhe të emigrantëve, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika.
Policia beson se këto incidente lidhen me "luftën" për kontroll të territorin mes grupeve kriminele të cilët janë të përfshirë në trafikun e drogës. qa/
Foto: arkivi i MIA-s