Të paktën 23 veta e kanë humbur jetën në afërsi të pikave për ndihmë në Gazë
- Të paktën 23 njerëz e kanë humbur jetën në sulmet izraelite në afërsi të pikave për distribuimin e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, njoftuan spitalet lokale.
- Post By Besnik Shuki
- 15:39, 3 gusht, 2025
Deir Al-Ballah, 3 gusht 2025 (MIA) - Të paktën 23 njerëz e kanë humbur jetën në sulmet izraelite në afërsi të pikave për distribuimin e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, njoftuan spitalet lokale.
Spitali Naser, në pjesën jugore të Rripit të Gazës njoftoi se ka pranuar trupa nga disa pjesë të vendit, në jug dhe në qendër të territorit, pasi dhjetëra njerëz u përpoqën të merrnin ushqim dhe ndihma të tjera humanitare në qendrën për shpërndarje, me të cilën menaxhon Fondacioni humanitar amerikan për Gazën (GHF).
GHF mbështetet nga Izraeli dhe SHBA-ja dhe ka udhëhequr shpërndarjen e ndihmës në Rripin e Gazës që nga maji.
Dëshmitarët deklaruan se të shtënat ndodhën në rrugën për te pikat e GHF-së, të vendosura në zonën ushtarake izraelite.
Kombet e Bashkuara njoftojnë se 859 persona u vranë pranë pikave të kontrollit të GHF midis majit dhe fundit të korrikut, ndërsa qindra të tjerë humbën jetën përgjatë rrugëve të konvojeve ushqimore të udhëhequra nga agjencitë e KB-së.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se gjashtë palestinezë të tjerë kanë humbur jetën nga uria në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga uria që nga fundi i qershorit në 82.
Nga uria, nga fillimi i luftës në vitin 2023, kanë vdekur edhe rreth 23 fëmijë, shtoi Ministria. bsh/
Foto: EPA arkiv