• e shtunë, 23 nëntor 2024

Të paktën 16 viktima në sulmet ruse në zonën e Hersonit

Të paktën 16 viktima në sulmet ruse në zonën e Hersonit

Kiev, 3 maj 2023 (MIA) - Të paktën 16 persona e kanë humbur jetën, ndërsa 22 të tjerë janë plagosur sot në sulmet e gjëra ruse ndaj rajonit jugor ukrainas Herson, njofton prokuroria ukrainase. 

Autoritetet ukrainase njoftuan nga mbrëmja e së premtes vendosjen e një shtetrrethimi në kryeqytetin e distriktit me të njëjtin emër.

"Sulme masive të okupatorit ndaj civilëve në rajonin e Hersonit - bilanci u rrit në 16 viktima", njoftoi prokuroria rajonale përmes Telegramit.

Siç u tha, rreth 22 persona të tjerë u plagosën në ato sulme ndaj infrastrukturës civile.

Sipas autoriteteve, në dy sulme ndaj super marketeve dhe stacionit policor në qytetin Herson, në afërsi të frontit, kishte të paktën katër të vdekur dhe disa të plagosur, ndërsa në një granatim tjetër, tre persona që po punonin në riparimin e një objekti energjetik në atë rajon u vranë. Deri më tani, nuk janë dhënë me detaje të gjitha sulmet ruse në atë zonë.

Sipas shefit të administratës ushtarake lokale, Oleksandër Prokudin, Hersoni është ende objektiv i sulmeve të artilerisë ruse.

Qyteti, i cili ishte pushtuar nga trupat ruse disa muaj në vitin 2022, ishte liruar në nëntor të vitit të kaluar me një kundërofensivë të suksesshme ukrainase në rajon. 

Që atëherë, Hersoni është nën granatimet e rregullta ruse, dhe ushtria ruse është pikërisht përtej lumit Dnjepër, i cili formon vijën e frontit natyror.

Prokudin gjithashtu sot njoftoi për një shtetrrethim 58-orësh në Herson nga e premtja në mbrëmje, ndërsa Kievi përfundon përgatitjet për një ofensivë të madhe.

Ai tha se ora policore do të jetë nga ora 20:00 më 5 maj deri në orën 06:00 më 8 maj. Në atë kohë do të ndalohet lëvizja në rrugë të qytetit dhe do të jetë e ndaluar hyrja dhe dalja në qytet. 

Ai i arsyetoi këto kufizime të përkohshme duke thënë se forcat e sigurisë duhet ta përfundojnë punën e tyre.

Njoftimi i autoriteteve erdhi pasi Kievi njoftoi se po "finalizonte" përgatitjet për një ofensivë të madhe për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia në lindje dhe jug. qa/shk/

 

QËNDRONI TË LIDHUR