• e hënë, 23 dhjetor 2024

"Të gjithë për një gjykim të drejtë": Me ndryshimet në Kodin Penal vjetrohen 14 lëndë gjyqësore me mbi 80 të akuzuar

Shkup, 7 shtator 2023 (MIA) - Me miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal do të mundësohet vjetërsimi i 14 lëndëve gjyqësore në të cilat akuzohen mbi 80 persona, sipas vlerësimeve të Koalicionit "Të gjithë për një gjykim të drejtë", që e publikoi sot në Fejsbuk, me ç'rast duke përmendur se në këtë procesverbal nuk janë marrë parasysh rastet të cilat për momentin gjenden në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHPNKOK).

Sipas Koalicionit, me ndryshimet të cilat u miratuan në mënyrë të shpejtë dje do të vjetërsohen rastet në vijim: TNT, Talir, Talir 2, Thesari, Tarifa, Dizajn, Toplik, Titanik, Tenderët, Titanik 2, Traektoria, Shkallët Spanjolle, Target/Fortesa, Lëndë për Stevço Jakimovskin.

Kuvendi miratoi dje ndryshimet në Kodin Penal me 48 vota "pro", 36 "kundër" dhe një abstenim. Ndryshimet shkaktuan reagime në opinion pasi i referohen neneve që "lehtësojnë" dënimet që prekin funksionarët, zyrtarët dhe personat përgjegjës në ndërmarrjet dhe institucionet publike.

Sipas Qeverisë, e cila këto ndryshime i propozoi me flamur evropian, bëhet fjalë për harmonizim me direktivat e Bashkimit Evropian. Për opozitën, kjo është përpjekje për amnisti të funksionarëve aktual në rast të ndryshimit të pushtetit. Në ndërkohë, Zyra e  BE-së në Shkup po kontrollon nëse flamuri evropian është keqpërdorur. sa/

Foto: Fejsbuk/Koalicioni: "Të gjithë për një gjykim të drejtë" 

QËNDRONI TË LIDHUR