Sulm i madh me dronë në Moskë
- – Moska ishte cak i dhjetëra dronëve mbrëmë, konfirmoi kryetari Sergej Sobjanin, i cili informoi për situatën gjatë natës. Sipas tij, forcat ruse rrëzuan 34 dronë ukrainas që fluturuan drejt kryeqytetit, njofton “Kiev Independent”.
- Post By Fitore Curri
- 09:32, 27 tetor, 2025
Moskë, 27 tetor 2025 (MIA) – Moska ishte cak i dhjetëra dronëve mbrëmë, konfirmoi kryetari Sergej Sobjanin, i cili informoi për situatën gjatë natës. Sipas tij, forcat ruse rrëzuan 34 dronë ukrainas që fluturuan drejt kryeqytetit, njofton “Kiev Independent”.
Ministria ruse e Mbrojtjes më vonë njoftoi se gjithsej 193 dronë ishin kapur gjatë natës, duke përfshirë 40 mbi Zonën e Moskës. Ministria konfirmoi se 34 nga aeroplanët ishin drejtuar drejt kryeqytetit. Akuzat nuk mund të konfirmoheshin pavarësisht. Aeroportet e Moskës Domodedovo dhe Zhukovski përkohësisht i ndërprenë operacionet për shkak të kërcënimit nga dronët.

Sipas kanaleve ruse në Telegram, shpërthime janë denoncuar në disa pjesë të qytetit dhe rajonit përreth, duke përfshirë edhe rrethin Komunarka. Nuk ka raportime për viktima, ndërsa kryetari Sobjanin tha se shërbimet për raste urgjente janë dërguar në të gjitha vendet e rënies së fluturakeve pa pilot.
Zjarr shpërtheu edhe në një depo të naftës në Serpuhov, zonë e Moskës, në orët e mbrëmjes, njoftoi kanali rus në Telegram Astra. Autoritetet lokale nuk e zbuluan arsyen për zjarrin, vetëm bënë të ditur se është shuar.
Autoritetet ukrainase nuk komentuan për sulmet. Kievi rregullisht përdor dronë me rreze të gjatë veprimi që të sulmojë caqe ushtarake dhe industriale në Rusi, siç janë rafineritë e naftës dhe fabrikat për armë. Sulm i ngjashëm me 34 dronë mbi Moskë ishte denoncuar edhe më 22 shtator.
Rusia, nga ana tjetër, rregullisht kryen sulme masive me raketa dhe pa pilot ndaj qyteteve ukrainase. Gjatë dy netëve të kaluara, sulmet ndaj Kievit vranë pesë persona, ndërsa dhjetëra ishin lënduar. Presidenti Volodomir Zelenski deklaroi dje se Rusia e ka sulmuar Ukrainën me afro 1.200 dronë dhe 50 raketa vetëm javën e kaluar. fc/
Foto: „Х“