Sulejmani: Kampusi i ri i UNT-së projekt historik, përfundon në afat prej 5 vitesh
- Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani në debatin në “Click plus” në TV21 lidhur me kampusin e ri të UNT-së ka thënë se është projekt historik më i madhi deri tash i financuar në historinë e arsimit shqip me të gjitha kushtet dhe standardet e nevojshme për studentët.
- Post By Fami Bajrami
- 12:29, 12 mars, 2026
Shkup, 12 mars 2026
Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani në debatin në “Click plus” në TV21 lidhur me kampusin e ri të UNT-së ka thënë se është projekt historik më i madhi deri tash i financuar në historinë e arsimit shqip me të gjitha kushtet dhe standardet e nevojshme për studentët.
“Fillimisht kur u mor si vendim i qeverisë, një vit më parë, kur në atë kohë ishte zv/kryeministër Izet Mexhiti pati shumë skepticizëm, se gjoja po bëhet vetëm për propagandë, nuk do të realizohet asnjëherë, erdhëm deri te vendosja e gurthemelit”, tha ai.
Çështja e financimit, shton ai, do të bëhet me etapa.
“Është dhënë afati i realizimit të punimeve që pritet të përfundojë në afat prej 5 vitesh. Me një dinamikë të caktuar do të përfundojë ndërtimi i kampusit”, ka thënë Sulejmani.
Sa i takon Ligjit për përfaqësimin e drejtë, ai është në programin e VLEN-it dhe siç tha, “ne do ta zbatojmë”.
“Kjo është një arritje historike për shqiptarët. Ne po sjellim ligj”, tha Sulejmani duke i replikuar Arta Bilalli-Zendelit të BDI-së, se ligji si draft -version ka kaluar në qeveri, është dërguar në Komisionin e Venecias dhe ka marrë dritë jeshile.
Veprimet e dy ASH-ve për “Safe city”, shfaqje teatrale
Përfaqësuesi nga VLEN, Driton Sulejmani në debatin në “Click plus” në TV21, madje ka thënë se në aspekt të përdorimit të gjuhës shqipe në “Safe city”, kemi ende shumë punë për të bërë.
“Sot në seancën e Gjykatës kushtetuese realisht nuk ka qenë temë trajtimi gjuha shqipe, por kushtetutshmëria e ‘Safe city’. Në lidhje me këtë edhe atëherë kur u soll si ligj, patëm deklaruar se ‘Safe city’ është për të mirën e qytetarëve dhe nuk ka argumente se duhet të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese. Gjithashtu patëm deklaruar se veprimet e dy ASH-ve, Selës dhe Taravarit janë vetëm veprime të politikës ditore dhe shfaqje teatrale dhe nuk ka argumente aspak të cilat do të sillnin deri te shfuqizimi i ‘Safe cityt i cili vetëm se ka dhënë rezultate jashtëzakonisht të mira në uljen drastike të numrit të aksidenteve”, tha Sulejmani.
Sa i takon çështjes së gjuhës që u hap si temë nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas Sulejmanit, ai dha një mendim apo interpretim të tij, çështja se a do përdoret apo jo, e ka përcaktuar dhe thënë ministri i Punëve të Brendshme i cili ka thënë se do të respektohet ligji për gjuhët, ne vazhdojmë ta trajtojmë këtë si të tillë.
“Është çështje procedure, edhe vetë sistemi ‘Safe city’ nuk është se është i kompletuar në tërësi, por si proces është mirëpritur dhe po jep efektet e tij”, ka thënë Sulejmani.
Provimi i jurisprudencës, politikat 23 vjeçare të BDI-së kanë lënë pasoja
Lidhur me provimin e jurisprudencës, zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani në debatin në “Click plus” në TV 21 ka thënë se fatkeqësisht politikat 23 vjeçare të BDI-së ka lënë pasoja. Si qeveri, shton ai, mundohen t’i zgjidhin të njëjtat në mënyrë të vazhdueshme.
“Krahas kësaj që po zbatojmë programin para qytetarëve, po i zgjidhim edhe problemet që po paraqiten në mënyrë të vazhdueshme, një nga ato është edhe provimi i jurisprudencës. Keni pasur 5 ministra shqiptarë të Drejtësisë, nuk e kanë bërë këtë”, i replikoi Sulejmani, Arta Bilalli - Zendelit të BDI-së.
Sipas tij, 23 vite nga BDI janë marrë me tema të gjuhës, flamurit dhe gjitha këto nuk i kanë realizuar.
“Pse prej vitit 2001 e deri tani nuk e keni sjell ligjin për përdorimin e gjuhëve. 23 vite i keni lënë shqiptarët në pritje. Ligji për dhënien e provimit të jurisprudencës daton nga viti 2019. Keni sjell ligje gjysmake, që krijojnë probleme në të ardhmen”, ka thënë mes tjerash Sulejmani.
VLEN