Strategjia për arsim 2026-2032 në dispozicion për propozime, Janevska i bëri thirrje sektorit civil të përfshihet në diskutimin publik
- - Strategjia për arsim 2026-2032 është vendosur në regjistrin kombëtar të rregulloreve ENER dhe për të paktën 20 ditë, të gjitha palët e interesuara do të kenë mundësinë të japin sugjerime dhe propozime për dokumentin që përcakton drejtimin e arsimit në gjashtë vitet e ardhshme.
- Post By Fitore Curri
- 13:26, 26 nëntor, 2025
Shkup, 26 nëntor 2025 (MIA) - Strategjia për arsim 2026-2032 është vendosur në regjistrin kombëtar të rregulloreve ENER dhe për të paktën 20 ditë, të gjitha palët e interesuara do të kenë mundësinë të japin sugjerime dhe propozime për dokumentin që përcakton drejtimin e arsimit në gjashtë vitet e ardhshme.
Ministrja Vesna Janevska sot në panel - diskutimin kushtuar arsimit, në kuadër të forumit "Bashkëpunimi midis sektorit qeveritar dhe joqeveritar", i cili organizohet për herë të dytë radhazi nga Qeveria dhe "Civika Mobilitas", informoi se në proces janë të përfshira më shumë institucione dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa versioni më i mirë që do të plotësojë strategjinë e mëparshme, do të fokusohet në sfidat e pazgjidhura, por edhe në ndjekjen e trendeve dhe standardeve globale të reja.
"Nuk ka politika kombëtare të suksesshme pa përfshirjen e sektorit civil në krijimin e tyre. Për qeverinë aktuale, kjo nuk ka dyshim dhe për këtë arsye është parim thelbësor i punës. Kontributi i organizatave qytetare është jashtëzakonisht i rëndësishëm në avancimin e deritanishëm të legjislacionit, në definimin e masave sistematike, projekteve dhe aktiviteteve, në rritjen e vetëdijes për tema dhe çështje të caktuara si multikulturalizmi, toleranca, respektimi i diversiteteve etj. Do ta zhvillojmë këtë marrëdhënie, sepse sektori civil është ai që i vë re fillimisht sfidat dhe anomali, prandaj gjithmonë ka propozimet më të shumta dhe më të qëndrueshme që mund të integrohen në politikat e Ministrisë", theksoi Janevska.

Gjatë takimit me përfaqësuesit e organizatave të shoqërive civile, Janevska iu përgjigj disa pyetjeve lidhur me situatën aktuale në arsim. E pyetur se kur do të përgatitet Ligji i ri për Arsimin e Lartë, ajo tha se pret që kjo të ndodhë deri në fund të vitit.
"Qeveria e kaluar miratoi zgjidhje ligjore shumë më të keqe se ajo që ekzistonte deri atëherë. Shkurtuan shumë të drejta të studentëve, e bënë më të lehtë lëvizjen e kuadrit mësimdhënës dhe shkencor, por me këtë ulën cilësinë e arsimit të lartë. Ne tani po përdorim qasje të vërtetë inkluzive – formuam trup koordinues kombëtar për reforma dhe përmes tij po përgatitet Ligj i ri për Arsimin e Lartë, si dhe për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore. Profesorët dhe studentët do të thonë se çfarë është e mirë dhe çfarë nuk është. Më pas do të pasojë diskutim publik përmes ENER-it dhe në Kuvend, për të qenë të sigurt që ka konsensus midis të gjitha palëve", tha ministrja.
Duke vlerësuar nivelin e inkluzivitetit të sistemit arsimor kombëtar, Janevska theksoi se në këtë segment ka pasur përparim të dukshëm gjatë 18 muajve të fundit, gjatë të cilëve është angazhuar numër rekord i asistentëve arsimorë në arsimin fillor, por edhe për herë të parë në arsimin e mesëm, ndërsa janë themeluar shkolla të mesme shtetërore me qendra burimore që u ofrojnë ndihmë të gjitha shkollave të tjera ku janë të regjistruar nxënës me nevoja të veçanta arsimore. fc/
Foto: MASH