• e hënë, 23 dhjetor 2024

Stoltenbergu konfirmoi se NATO ka miratuar dërgimin e forcave shtesë në Kosovë për shkak të situatës aktuale

Stoltenbergu konfirmoi se NATO ka miratuar dërgimin e forcave shtesë në Kosovë për shkak të situatës aktuale

Bruksel, 29 shtator 2023 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot deklaroi se Këshilli Veriatlantik ka miratuar dërgimin e forcave shtesë në Kosovë për shkak të situatës aktuale. 

Pas takimit të sotëm të Këshillit Veriatlantik për situatën në Kosovë, Stoltenberg ka deklaruar se përfaqësuesit e anëtareve të Aleancës "kanë shprehur shqetësim të thellë për shkak të tensioneve të rritura në veri të Kosovës", është bërë e ditur në ueb-faqen e NATO-s. 

"Që nga maji e kemi përforcuar praninë e forcave të KFOR-it. Dje Këshilli Veriatlantik miratoi forca shtesë për përballje me situatën aktuale", tha Stoltenberg.

Ai theksoi se NATO-ja u bën thirrje "të gjitha palëve për depërshkallëzim shtesë". 

"Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të angazhohen në dialog me ndërmjetësimin e BE-së, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha bashkësive. Kjo është kyçe për sigurinë e përhershme të Kosovës dhe stabilitetin në rajon", shtoi sekretari i përgjithshëm.

Ai, gjithashtu, deklaroi se misioni KFOR vazhdon të ruajë "prani të dukshme dhe të shkathtë" përgjatë Kosovës dhe bashkëpunon ngushtë me të gjithë faktorët relevantë në Prishtinë dhe Beograd, si dhe me Misionin e BE-së për sundimin e drejtësisë (EULEKS), OSBE, Misioni i KB-së në Kosovë (UNMIK) dhe bashkësinë diplomatike. 

"Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë atë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të marrë nga KB-ja", shtoi Stoltenberg.

Situata në veri të Kosovës është tejet e tensionuar prej 24 shtatorit, kur një grup i serbëve të armatosur e kanë sulmuar policinë e Kosovës në fshatin Banjskë. Në sulmin jetën e ka humbur polici kosovar Afrim Bunjaku ndërsa nga këmbimzjarri që vijoi, janë vrarë edhe tre serbë.

Policia e Kosovës në mëngjes ka kryer bastisje në pjesën veriore të Mitrovicës, Zveçanit dhe Zubin Potokut. fc/

Fotografia: Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR