• e hënë, 23 dhjetor 2024

Stoltenberg në “Forumin e Prespës”: NATO do të zgjedhë gjithmonë rrugën që të çon drejt shpresës, demokracisë dhe paqes

Stoltenberg në “Forumin e Prespës”: NATO do të zgjedhë gjithmonë rrugën që të çon drejt shpresës, demokracisë dhe paqes

Strugë, 16 qershor 2023 (MIA) - Bota ndodhet në një udhëkryq, prej nga një drejtim të çon në frikë, shtypje dhe luftë, ndërsa në anën tjetër në shpresë, demokraci dhe paqe. Kjo është rruga që NATO do të zgjedhë gjithmonë. Këtë e theksoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në video-fjalimin e tij në seancën “Paqe dhe demokraci kundër luftës dhe autokracisë” organizuar nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në kuadër të Forumit të Prespës që mbahet në Strugë.

Stoltenberg kujtoi marrëveshjen e Prespës, e cila mundësoi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, por, siç tha, kontribuoi edhe në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe hapi të ardhmen e vendit.

Sipas tij, marrëveshjet si e Prespës janë pjesë e rëndësishme e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, duke theksuar se marrëveshje të tilla sigurojnë liri, mundësojnë përparim dhe hapin një të ardhme premtuese.

"Alternativa për këtë është një fatkeqësi, siç mund ta shohim në Ukrainë. Pushtimi rus i Ukrainës ka shkatërruar paqen në të gjithë Evropën dhe ka ndryshuar rrënjësisht sigurinë tonë të përbashkët. Sa herë që lufta në Ukrainë përfundon, marrëdhëniet me Moskën do të kenë ndryshuar në mënyrë dramatike, ndërsa peizazhi i sigurisë në Evropë nuk do të jetë kurrë i njëjtë, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Duke folur për procesin e forcimit të marrëdhënieve ruso-kineze, Stoltenberg tha se ato janë “një sfidë për sigurinë, interesat dhe vlerat tona”.

Për Maqedoninë e Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se është një aleat i vlefshëm, i cili kontribuon në misionin paqeruajtës në Kosovë, i cili është i një rëndësie jetike për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kohë të tensioneve të shtuara.

"Gjatë ditëve të fundit, ne kemi forcuar misionin tonë të KFOR-it me qindra trupa, ndërsa Maqedonia e Veriut ka rritur buxhetin e saj të mbrojtjes dhe i ofron mbështetje partnerit tonë Ukrainës. NATO mund të mbështetet në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas. Një tregues i qartë janë avionët e NATO-s që kontrollojnë qiellin mbi vend si pjesë e shërbimit të patrullimit", tha Stoltenberg.

Për çështjen e zgjerimit të familjes evropiane deri në vitin 2030, ai tha se jo vetëm që është e mundur, por po ndodh pikërisht tani.

"Duke ndjekur hapat e  Maqedonisë së Veriut, Finlanda iu bashkua Aleancës si përgjigje ndaj pushtimit rus. Dua t'ju siguroj se pranimi i Suedisë në NATO do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo vlen edhe për Ukrainën, të gjithë aleatët tanë janë pajtuar që vendi të bëhet pjesë e NATO-s, ndërsa në Aleancë Rusia nuk ka të drejtë vetoje, tha Jens Stoltenberg në video-fjalimin në “Forumin e Prespës” që u mbajt në Strugë.

Në këtë seancë fjalime mbajtën edhe presidenti Stevo Pendarovski, më pas presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq dhe i Shqipërisë, Bajram Begaj.

QËNDRONI TË LIDHUR