• e hënë, 23 dhjetor 2024

Stojanoski: VMRO-DPMNE do të dorëzojë amendament për të mbajtur TVSH-në për peleta në 5 për qind

Stojanoski: VMRO-DPMNE do të dorëzojë amendament për të mbajtur TVSH-në për peleta në 5 për qind

Shkup, 17 korrik 2023 (MIA) - Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, konsideron se me rritjen e TVSH-së për peletat nga 5 në 18 për qind, çdo amvisëri do të duhet të ndajë 6000 denarë shtesë në muaj në sezonin e ardhshëm të ngrohjes dhe paralajmëron se grupi i tij parlamentar do të dorëzojë amendament për të ruajtur zgjidhjen ekzistuese për TVSH-në, për peletat.

"Qeveria fillimisht e rriti TVSH-në për rrymë nga 10 në 18 për qind, një metër kub dru zjarri është 5.000 denarë, ndërsa rritja e re e TVSH-së do ta dëmtojë edhe më tej buxhetin e brishtë familjar të amvisërive", tha Stojanoski para Kuvendit pas takimit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së me prodhuesit dhe tregtarët e peletave.

Ai theksoi se zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, në një deklaratë që e ka parë në media u ka bërë thirrje deputetëve që të paraqesin kërkesë për të mbajtur të njëjtën TVSH dhe thotë se VMRO-DPMNE do ta pranojë.

"Ne si koalicion do ta paraqesim këtë amendament dhe i bëj thirrje Bytyqit të mbajë fjalën dhe shumica të pranojë zgjidhjen e amendamentit dhe në këtë mënyrë t'i ndihmojmë qytetarët me normën e TVSH-së që duhet të mbetet 5 për qind dhe jo të rritet për 13 për qind siç është propozuar nga Qeveria", tha Stojanoski.

Kryetari i Shoqatës së prodhuesve dhe importuesve të peletit "Biomak Enerxhi", Vladimir Stojanovski, tha se po i bën thirrje grupeve të tjera parlamentare që t'i thërrasin në mbledhje këtë javë për të shpjeguar argumentet e tyre pse propozimi duhet të tërhiqet nga procedura dhe TVSH-ja për peletin të mbetet 5 për qind.

Pritet që sot të hyjnë në procedurë parlamentare projektligjet për rritjen e TVSH-së për një pjesë të ushqimeve dhe peletit, si dhe për vendosjen e taksës së solidaritetit. sa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR