• e hënë, 23 dhjetor 2024

Stojanoski: Prej sot fillon debati për Buxhetin për vitin 2024, janë dorëzuar 272 amendamente

Stojanoski: Prej sot fillon  debati për Buxhetin për vitin 2024, janë dorëzuar 272 amendamente

Shkup, 7 dhjetor 2023 (MIA)  -  Kryetari i Komisionit Parlamentar për Financim dhe Buxhet, Bojan Stojanoski, në konferencë për shtyp informoi se prej sot fillon shqyrtimi i amendamenteve për Buxhetin për vitin 2024 në organin amë. Ai bëri të ditur se janë dorëzuar gjithsej 272 amendamente, prej tyre 250 nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit.

"Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për këtë Propozim-buxhet  kanë dorëzuar 250 amendamente përmes të cilave dëshirojmë të ndërhyjmë dhe të rregullojmë diçka që ende mund të rregullohet. Në debatin e deritanishëm, kolegët e LSDM-së nuk e pranojnë realitetin për gjendjen në Maqedoni. Borxhi publik është jashtëzakonisht i lartë dhe në nivelin më të lartë historik, ndërsa rritja ekonomike është shumë nën mesataren në krahasim me vendet e rajonit. Kjo duhet të ndryshohet sa më shpejt dhe ju premtojmë se do të ndodhë pas zgjedhjeve në maj të vitit të ardhshëm", tha Stojanoski. 

 Theksoi se sot në ditën e parë të debatit do të shqyrtohen disa amendamente, nga të cilat veçoi amendamentet që kanë të bëjnë me uljen e TVSH-së për energjinë elektrike, druve për ngrohje, ushqim, si dhe uljen e akcizës për derivatet.

 "Jemi dëshmitarë se në vitet e fundit, çmimi i këtyre kategorive është rritur në mënyrë drastike, pothuajse 50 për qind krahasuar me periudhën para pandemisë. Jemi në pritje të një rritje të re të çmimit të energjisë elektrike nga Komisioni Rregullator Energjetik të partizuar dhe për këtë kërkojmë që shteti ta ulë sërish TVSH-në nga 18 për qind në 5 për qind me qëllim që të ndihmohen të gjitha familjet. Në mënyrë shtesë, një pjesë e madhe e familjeve ngrohen me dru, ndërsa  e dimë se në dy dimrat e kaluar çmimi i drurit është rritur në mënyrë drastike,  dhe janë vërejtur raste edhe të pensionistëve të mashtruar. Me dru ngrohen më shpesh shtresa më e varfër e qytetarëve dhe pikërisht për këtë kërkojmë uljen e TVSH-së për blerjen e një metër kub dru nga 18 për qind në 5 për qind që do të rezultojë në uljen e çmimit mbi 10 për qind", tha deputeti Stojanoski.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR