• e premte, 05 dhjetor 2025

Stenergard: Suedia angazhohet për sanksione të BE-së kundër disa ministrave izraelitë

Stenergard: Suedia angazhohet për sanksione të BE-së kundër disa ministrave izraelitë

Stokholm, 20 maj 2025 (MIA) – Suedia është për sanksione evropiane kundër “disa ministrave izraelitë” nëse nuk ka përmirësim të situatës në Rripin e Gazës, deklaroi sot shefja e diplomacisë, Maria Malmer Stenergard. 

"Suedia është mike e Izraelit, por tani duhet ta ngremë zërin edhe më shumë. Ne do të mbështesim sanksionet evropiane kundër disa ministrave izraelitë që mbështesin politikën e vendbanimeve të paligjshme dhe kundërshtojnë në mënyrë aktive zgjidhjen e ardhshme me dy shtete", shkroi ajo në një porosi, raportuan mediat franceze.

Sipas Stenegard, Bashkimi Evropian duhet ta shqyrtojë listën e ministrave kundër të cilëve do të vendoseshin sanksione. 

Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së sot kanë takim në Bruksel. 

“Me seriozitet të madh e vëzhgojmë mënyrën në të cilën Qeveria izraelite vazhdon ta përkeqësojë situatën, edhe me deklaratat e saja edhe me veprimet e saja”, tha ministrja suedeze. 

Ajo shtoi se Suedia tashmë disa herë ka kërkuar nga Qeveria izraelite të mundësojë qasje më të mirë humanitare për popullatën në Gazë. 

Maria Malmer Stenergard dje e dënoi planin e Izraelit që ta ndërmarrë kontrollin mbi gjithë Rripin e Gazës, duke thënë se kjo është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR