Starmer u takua me Zelenskin para bisedave të Trampit me Putinin
- Kryeministri britanik Kir Starmer u takua me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski sot në Londër, ndërsa Evropa po përgatitet për samitin mes presidentit amerikan Donald Tramp dhe udhëheqësit rus Vladimir Putin.
- Post By Sara Ademi
- 12:18, 14 gusht, 2025
Londër, 14 gusht 2025 (MIA) - Kryeministri britanik Kir Starmer u takua me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski sot në Londër, ndërsa Evropa po përgatitet për samitin mes presidentit amerikan Donald Tramp dhe udhëheqësit rus Vladimir Putin.
Starmer bisedoi me Zelenskin pasi tha se Britania e Madhe është e gatshme ta "rrisë presionin" ndaj Rusisë nëse është e nevojshme.
Trampi e kërcënoi Rusinë me "pasoja serioze" nëse presidenti rus hedh poshtë marrëveshjen paqësore.
Gjatë bisedës telefonike me presidentin amerikan dhe aleatët evropian mbrëmë, Starmer e lavdëroi Trampin për përpjekjet e tij të krijojë "një mundësi të vërtetë" për përfundimin e luftës.
Megjithatë, u shprehën brenga në lidhje me përjashtimin e Zelenskit nga samiti Tramp-Putin nesër në Alaskë.
"Takimi të premten, në të cilin do të marrë pjesë presidenti Tramp, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Siç i thashë personalisht presidentit Tramp, në tre vite e gjysmë aq sa zgjat ky konflikt, nuk i jemi afruar perspektivës për zgjidhje të vërtetë për armëpushim. Ndërsa tani e kemi atë mundësi falë përpjekjeve që i bëri presidenti", tha dje Starmer.
"E rëndësishme është t'i përkujtojmë kolegët se jemi të gatshëm ta rrisim presionin ndaj Rusisë, veçanërisht ndaj ekonomisë, me sanksione dhe masa gjithëpërfshirëse, nëse është e nevojshme", shtoi ai.
Starmer dhe liderët evropian vazhdimisht theksojnë se diskutimet për Ukrainën nuk duhet të udhëhiqen pa pjesëmarrjen e Kievit.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan paraprakisht pranoi se armëpushimi mund të përfshijë "shkëmbim" territoresh.
Besohet se një nga kërkesat e liderit rus është që Ukraina të shkëputë pjesë të Donbasit që ende i kontrollon.
Megjithatë, Zelenski hodhi poshtë të gjitha propozimet që mund ta prishin integritetin territorial të Ukrainës, që është e ndaluar me kushtetutën e vendit.
Në deklaratën e përbashkët nga Koalicioni i të përgatiturve, i bashkëkryesuar nga Starmer, presidenti francez Emanuel Makron dhe kancelari gjerman Fridrih Merc, thotë se "kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë".
Në të shtohet: "Sanksionet dhe masat ekonomike gjithëpërfshirëse për presion ndaj ekonomisë ushtarake të Rusisë duhet të përforcohen nëse Rusia nuk pajtohet për armëpushim në Alaskë".
Kalicioni i të përgatiturve është një nismë evropiane për dërgimin e forcave paqësore në Ukrainë në rast të armëpushimit. sa/
foto: EPA