• e premte, 22 nëntor 2024

Stano: Kurti dhe Vuçiq janë ftuar në Bruksel për një takim në nivelin më të lartë

Stano: Kurti dhe Vuçiq janë ftuar në Bruksel për një takim në nivelin më të lartë
Beograd, 18 nëntor 2022 (MIA) - Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti janë ftuar në Bruksel për dialog në nivelin më të lartë, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Siç raporton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, për momentin nuk dihet nëse Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar ftesën. "Ajo që është e re është se ne i ftuam të dy në Bruksel për të gjetur një zgjidhje evropiane, një rrugë evropiane për të dalë nga situata aktuale e cila është një nga më të rëndat që nga viti 2013. Dhe ky është qëllimi. Siç thashë, i ftuam në Bruksel për të diskutuar për gjetjen e një rrugëdaljeje. Shpresojmë që të vijnë shumë shpejt, që ne ta zgjidhim çështjen para 21 nëntorit dhe jo më pas, siç tha përfaqësuesi i lartë i BE-së (Zhozep Borrell)", tha Stano. Ndryshe, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ndodhet sot në Athinë, ku do të bisedojë me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis në një darkë pune. Sot nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit u dëgjua se ende nuk ka marrëveshje për çështjen e targave dhe për zgjidhjen e krizës. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se serbët nga Kosova kërkojnë që të zbatohet dhe respektohet marrëveshja e nënshkruar. Ajo shtoi se Beogradi është i shqetësuar sepse Prishtina nuk i sheh frytet e bisedimeve me BE-në dhe SHBA-në. "Albin Kurti thotë se marrëveshja e Brukselit nuk ekziston. Këto janë sinjale të këqia. Ajo marrëveshje ekziston dhe duhet respektuar", tha Bërnabiq. Ajo po ashtu theksoi se Beogradi pret që bisedimet të cilat  BE-ja dhe SHBA-ja po i zhvillojnë me Prishtinën të japin fryte. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR