• e hënë, 23 dhjetor 2024

Spasovski: Pres që gjatë ditës së sotme të zbardhet incidenti në Butel

Spasovski: Pres që gjatë ditës së sotme të zbardhet incidenti në Butel

Shkup, 12 mars 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në lidhje me incidentin e mbrëmshëm me të shtëna në Butel në të cilin në mesin e të sulmuarve ka edhe një nëpunës policie, deklaroi se janë arrestuar dy persona, ndërsa po kërkohen edhe tre të tjerë.

Ai sqaroi se sipas klasifikimit, bëhet fjalë për dhunë. 

"Pres që gjatë ditës do të përfundojnë të gjitha aktivitetet në lidhje me zbardhjen e gjithë këtij rasti dhe se të plagosurit do të shërohen. Është me rëndësi që ata persona të nxiren para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi", theksoi ministri Spasovski në konferencën e sotme të përbashkët për media me homologun e tij boshnjak, Nenad Neshiq.

Ai sqaroi se në njërën nga veturat ishin tre persona, dy prej tyre janë arrestuar. Në veturën tjetër ka pasur edhe dy persona të tjerë.

I pyetur se deri ku është procedura me rastin në lokalin "Shisha bar" dhe mos ndoshta ai rast ka lidhje me incidentin e mbrëmshëm, ministri u përgjigj se ka progres në hetim. Sipas vlerësimeve fillestare, vlerëson se nuk ka lidhje ndërmjet këtyre rasteve, por se duhet të pritet që hetimi të përfundojë në tërësi.

Ai theksoi se po ndërmerren të gjitha aktivitetet që janë të nevojshme në pjesën e hetimeve kriminale dhe në bazë të urdhrave të cilat i jep prokurori publik, vijojnë ekspertizat dhe vërtetimi i të gjitha dëshmive. Theksoi se fillimisht duhet të shihen motivet për sulmin e mbrëmshëm. 

Ministri theksoi se qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të jenë të qetë për sigurinë e tyre. 

Ai shtoi se "sipas Indeksit Ndërkombëtar për Paqe, i cili i ndjek të gjitha aspektet në pjesën e sigurisë, Republika e Maqedonisë së Veriut është renditur si një nga më të sigurtat në Ballkan, e 35-ta në listën e sigurisë, në botë".

I pyetur për një polic nga Velesi i cili kishte përhapur urrejtje në internet, ai tha se janë ndërmarrë masa nga ana e kontrollit të brendshëm. Në atë pjesë, shtoi, janë përforcuar instrumentet dhe krahas kontrollit të brendshëm, ekziston mekanizëm i jashtëm i kontrollit në Zyrën e Avokatit të Popullit, ndërsa është formuar edhe departament i veçantë në prokurorinë publike, në të cilët shqyrtohen rastet. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR