• e martë, 24 dhjetor 2024

Spasovski: MPB-ja me vëmendje të veçantë merr pjesë ndaj rasteve të trafikimi të njerëzve

Spasovski: MPB-ja me vëmendje të veçantë merr pjesë ndaj rasteve të trafikimi të njerëzve

Shkup, 30 maj 2023 (MNIA) - Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, sot ishte pjesë e konferencës rajonale "Së bashku të suksesshëm!" Perceptimet dhe qasjet rajonale për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore”, organizuar nga Nisma Rajonale për Migrime, Azil dhe Refugjatë – MARRI, dhe në prani të përfaqësuesve nga organizatat joqeveritare dhe ndërkombëtare.

Duke theksuar se parandalimi dhe goditja e trafikimit me qenie njerëzore janë të pozicionuara lartë në agjendën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e rrjedhimisht edhe të policisë maqedonase, ministri Spasovski tha se kjo prodhon qasje partneriteti dhe kontribut të përbashkët në rritjen e efikasitetit të sistemi në tërësi dhe në mënyrë efektive që merret me këtë lloj krimi. Sipas ministrit Spasovski, Ministria e Punëve të Brendshme i trajton me vëmendje të veçantë rastet e tregtisë me njerëz, duke pasur në plan të parë pasojat që shkaktojnë trauma të rënda njerëzore tek viktimat.

“Nga përvoja e deritanishme në trajtimin e trafikimit me qenie njerëzore, shërbimet dhe njësitë kompetente në kuadër të Ministrisë veçojnë disa parime, sipas të cilave ndërmerren të gjitha aktivitetet e mëtutjeshme. Përkatësisht, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore fillimisht kërkon një qasje proaktive dhe multidisiplinare, prandaj ne i përfshijmë të gjithë partnerët përkatës nga sektorët institucionalë, shoqërinë civile dhe komunitetin ndërkombëtar dhe punojmë për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal dhe ofrimin e trajnimeve të vazhdueshme të profesionistëve nga të gjitha profilet. Njëherit, Komisioni Kombëtar për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Kontrabandës së Migrantëve dhe Koordinatori Nacional i Republikës së Maqedonisë së Veriut paraqesin element kyç për marrjen e masave të vazhdueshme në drejtim të përmirësimit të identifikimit të viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, si dhe sigurimin e ndihmës dhe mbrojtjes në sistemin tonë”, theksoi Spasovski, duke përmendur se aktivitetet e Komisionit Nacional janë moderne dhe inovative, sepse ndjekin standardet e veprimit nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe ofrojnë udhëzime specifike për institucionet dhe organizatat joqeveritare, me qëllim të harmonizimit të duhur në legjislacionin vendas.

Në fjalën e tij, ministri Spasovski iu referua situatës aktuale në Republikën e Maqedonisë së Veriut në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, duke theksuar se për dallim nga më parë, sot Republika e Maqedonisë së Veriut është vend i destinacionit përfundimtar, vend i origjinës dhe vend i transit kur bëhet fjalë për trafikimin e qenieve njerëzore.

“Dhe ndërsa më parë viktimat ishin pothuajse gjithmonë vajza të reja nga Evropa Juglindore, tani vërehet një trend i rekrutimit të viktimave nga brenda vendit tonë, por edhe nga vendet e tjera të rajonit. Gjithashtu, në të kaluarën viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore përdoreshin kryesisht për shfrytëzim seksual, por sot hetojmë rastet e shfrytëzimit për punë dhe trafikimit të fëmijëve me qëllim lypjeje apo forma të tjera krimi. Elementet e shfrytëzimit gjithnjë e më shumë përfshijnë martesat e detyruara dhe shfrytëzimin e punës në objektet hotelierike”, tha Spasovski, duke kujtuar se rruga e Ballkanit Perëndimor ende mbetet tërheqëse për migrantët, ndërsa raportet e MPB-së, si dhe ato të organizatave relevante ndërkombëtare, tregojnë se migrantët, gjatë rrugës për në destinacionin e tyre të dëshiruar, përdorin gjithnjë e më shumë shërbimet e kontrabandistëve, dhe duke pasur parasysh brishtësinë e migrantëve, në shumë raste, ata vetë - nga përdorues të shërbimeve bëhen viktimatë trafikimit të qenieve njerëzore.

Duke theksuar gatishmërinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të mbështetur të gjitha llojet e masave që do të përmirësojnë gjendjen me trafikimin e qenieve njerëzore, Spasovski shprehu mirënjohje të veçantë për Shoqatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, gjegjësisht Zyrën e GIZ-it në Shkup dhe të Iniciativës MARRI, për vizionin e tyre në konceptimin e projektit rajonal "Parandalimi dhe lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor - PaKT".

“Sinergjia e ofruar në kuadër të këtij projekti kontribuoi në bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë ndërmjet rrjeteve ekzistuese në rajon, gjegjësisht Rrjetit të Koordinatorëve për Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore, i menaxhuar nga MARRI dhe Rrjeti i Koordinatorëve për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore nga Evropa Juglindore, e menaxhuar nga Qendra Ndërkombëtare për zhvillimin e politikës së migracionit, duke siguruar qëndrueshmëri, duke shmangur mbivendosjet dhe duke zbatuar axhendat e veta“, tha ministri Spasovski, duke theksuar edhe një herë rëndësinë që Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut i kushton bashkëpunimit ndërkombëtar, në kuadër të të cilit realizohen projekte të ndryshme, të nevojshme për ngritjen e kapaciteteve, por edhe për avancimin e asaj që është arritur në kuadër të Ministrisë. mb/ 

Foto: MPB

QËNDRONI TË LIDHUR