• e premte, 04 tetor 2024

Spasovski: MPB-ja mbetet në shërbim të qytetarëve dhe nuk do të lejojmë që protestat të keqpërdoren

Spasovski: MPB-ja mbetet në shërbim të qytetarëve dhe nuk do të lejojmë që protestat të keqpërdoren
Shkup, 12 korrik 2022 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski sot pasdite edhe një herë apeloi deri te qytetarët, por edhe te subjektet politike, të cilët duan ta shprehin qëndrimin e tyre përmes protestës, ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore.
"Dëshiroj t'ju bëj një apel, juve qytetarëve, por edhe subjekteve politike që duan të shprehin qëndrimin e tyre përmes protestës, ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore. Dhe duke qenë se sundimi i ligjit dhe demokracia janë të ndërlidhura dhe të kushtëzuara, dua t'ju kujtoj edhe një herë se çdo tubim publik (protestë), sipas ligjit, duhet të raportohet siç duhet. Njëkohësisht, përveç njoftimit për bllokada të datës 07.08.2022, i cili si akt është dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme po atë ditë, edhe pse sipas Ligjit për tubime publike duhet të dorëzohet jo më vonë se 48 orë para fillimit të manifestimit, asnjë nga protestat e ditëve të kaluara nuk ishte paralajmëruar dhe regjistruar siç duhet, por organizimi qarkullonte nëpër rrjetet sociale, të iniciuara dhe të udhëhequra nga disa parti politike, ka shkruar Spasovski në Fejsbuk.
Ministri vuri në dukje se mungesa e një organizatori, pra mungesa e tij formale e informimit, nuk mund të jetë alibi për dhunën ndaj objekteve jetike të shtetit dhe ndaj punonjësve të policisë që kryejnë veprime zyrtare për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe institucioneve të sistemit, ashtu si edhe një protestë e paparalajmëruar nuk mund të jetë mbulesë për të mos marrë përgjegjësi për këto protesta të dhunshme, ku mbetën të lënduar 54 punonjës policie dhe u ndaluan 23 persona.
"Shfrytëzoj rastin ta informoj opinionin që të jetë i qetë - MPB-ja mbetet në shërbim të qytetarëve dhe nuk do të lejojmë që protestat të keqpërdoren për të ndezur tensione ndëretnike. Policia vepron sipas njohurive të marra operative dhe do të dislokohet në mënyrë të duhur sipas nevojave. Në të njëjtën kohë, dua t'u dërgoj një mesazh krijuesve të tensionit - mos shpërdoroni të drejtën e qytetarëve për të protestuar për të krijuar imazhin tuaj të deformuar në publik. Është e pandershme dhe e padenjshme të keqpërdoren qytetarët si mbulesë e dhunës së pajustifikuar për qëllime ekskluzivisht politike, ka shkruar ministri i Punëve të Brendshme.
Ai theksoi se akti i dhunës nuk ka asnjë justifikim. "Ne si vend jemi krenarë për përfitimet civilizuese të protestës, ndërsa pikërisht protestat paqësore janë pjesë thelbësore e një demokracie. Apeloj që të praktikohet protesta paqësore si pjesë e dialogut. MPB vazhdon të mbrojë të drejtat kushtetuese dhe të garantojë sigurinë e të gjithë qytetarëve, ka shkruar Spasovski në Fejsbuk. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR