• e diel, 22 dhjetor 2024

Spasovski: Jemi duke monitoruar situatën e sigurisë, po analizohen të gjitha aktivitetet

Spasovski: Jemi duke monitoruar situatën e sigurisë, po analizohen të gjitha aktivitetet

Shkup, 20 tetor 2023 (MIA) - Ngjarjet në nivel gjeostrategjik ndikojnë seriozisht në gjendjen e sigurisë. Shërbimet e sigurisë janë të konsoliduara dhe janë në koordinim të vazhdueshëm me qëllim për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin e vendit, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

"Të gjitha zhvillimet në nivelin gjeostrategjik ndikojnë seriozisht në gjendjen e sigurisë, por dhe në zhvillimet në rajon sepse jemi një rajon i brishtë në aspektin e sigurisë. Kemi çështje të hapura që duhet të zgjidhen përmes dialogut. Fatkeqësisht, në shekullin e 21-të kemi një agresion rus ndaj Ukrainës dhe për momentin kemi edhe një krizë të re sigurie në Izrael. E gjithë kjo implikon se duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të gjitha shërbimet e sigurisë të punojnë në mënyrë të konsoliduar. Ndjekim orë pas ore dhe analizohen të gjitha aktivitetet", ka thënë Spasovski në emisionin “Trilling” në Televizionin 24.

Sa i takon ligjit për amnisti, Spasovski ka përsëritur se qëndrimi i tij personal është se një ligj i tillë nuk duhet të miratohet.

"Konsideroj se nuk ka asnjë arsye të vetme që do të arsyetonte miratimin e ligjit për amnisti. Nëse shkaku është funksionaliteti i sistemit të realizimit të sanksioneve – se do të lirohen më shumë vende, do të relaksohen institucionet ndëshkuese- përmirësuese, analizën të cilën e ka bërë nga Agjencia për kryerjen e sanksioneve në lidhje me zgjidhjen ligjore është se 260 persona do të mund të amnistohen për vepra penale që nuk kanë lidhje me ato për të cilat flasim: korrupsion i lartë etj., por thjesht janë vjedhje, grabitje, rendi dhe qetësi publike, trafik... E gjithë kjo nuk do të kontribuojë në relaksimin e sistemit. Përkundrazi, konsideroj se praktika dëshmon se po këta persona për një kohë shumë të shkurtër përsëri bëhen problem dhe kthehen në institucionet ndëshkuese- përmirësuese", ka thënë Spasovski.

Rreth mundësisë së kthimit të ish kryeministrit Nikolla Gruevski në vend, Spasovski tha se nuk ka ndonjë mënyrë se si të të kthehet dhe të mos ketë përgjegjësi.

Foto: printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR