• e diel, 22 dhjetor 2024

"Soar": Ekspertët paralajmërojnë për qarkullim "të madh" të virusit korona në Belgjikë

Bruksel, 19 dhjetor 2023 (MIA) - Stacionet matëse të ujërave të zeza në Belgjikë tregojnë një nivel "të madh" të qarkullimit të virusit korona në vend, për shkak se ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë se situata po bëhet gradualisht "alarmante", njofton gazeta belge "Soar". 

Sipas këtyre të dhënave, bazuar në matjet e datës 13 dhjetor në 22 nga 41 impiante trajtimi kanë regjistruar “nivel të lartë të qarkullimit të virusit korona” dhe prirje rritëse të pranisë së tij në krahasim me javën e kaluar.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, për shkak të rritjes së numrit të të sëmurëve në fund të nëntorit në Belgjikë u shpall "niveli i verdhë" i rrezikut të infeksioneve të frymëmarrjes. Megjithatë, sipas autoriteteve, presioni mbi sistemin shëndetësor belg tani për tani "mbetet nën kontroll".

Për të enjten është caktuar mbledhje e ekipit të ekspertëve mjekësor për vlerësimin e rrezikut, kur është e mundur të rekomandohet futja e masave të caktuara parandaluese, siç është për shembull, përsëri, mbajtja e detyrueshme e maskave për fytyrë në objektet shëndetësore.

Shërbimi federal i shëndetit publik belg ka paralajmëruar se është thelbësore të respektohen masat higjienike të promovuara pas shpërthimit të pandemisë Kovid në mënyrë që të shmanget çdo përhapje e virusit.

"Lani duart rregullisht me ujë dhe sapun, ajrosni ambientet dhe qëndroni në shtëpi nëse jeni të sëmurë", kujton Shërbimi federal duke shtuar se rekomandimi për vaksinim kundër Kovid-19 dhe gripit mbetet në radhë të parë për grupet e qytetarëve me rrezik të lartë. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR