• e hënë, 23 dhjetor 2024

SMER SSD e ish kryemnistrit Robert Fico fitoi në zgjedhjet parlamentare në Sllovaki

SMER SSD e ish kryemnistrit Robert Fico fitoi në zgjedhjet parlamentare në Sllovaki

Bratisllavë, 1 tetor 2023 (MIA) - Në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Sllovaki, partia Smer SSD e kryesuar nga ish kryeministri Robert Fico ka fituar më së shumti vota - 23,31, në bazë të 99,2 për qind nga votat e numëruara, njoftoi Instituti sllovak i Statistikës. 

Sipas rezultateve jozyrtare të zgjedhjeve, partia Sllovakia Progresive përfundoi në vendin e dytë me 16,98 për qind, megjithëse parashikimet parazgjedhore parashikonin fitoren e saj, e ndjekur nga Zëri-SD (14,98 për qind), koalicioni OLANO - Për Bashkimin Popullor të Krishterë ( 9,02 për qind), KDH (6,91 për qind), SaS (6,18 për qind) dhe Partia Kombëtare Sllovake (SNS) me 5,67 për qind, raporton TASR.

Në mesin e partive të cilat nuk arritën të hyjnë në parlament janë Republika (4,8 për qind), Aleanca (4,46 për qind), Demokratët (2,92 për qind) dhe Ne jemi familje (2,25 për qind), përderisa partitë e tjera fituan më pak se një për qind të votave. 

Jehona në zgjedhje është 68,06 për qind, njoftoi Enti sllovak i Statistikës.

Bi-Bi-Si njoftoi se në bazë të gati të gjitha votave të numëruara, është e qartë se "partia proruse e kryesuar nga ish kryeministri Robert Fico" ka fituar në zgjedhjet parlamentare në Sllovaki.

Partia e tij Smer SSD, e cila gjatë fushatës premtoi t'i jepte fund menjëherë mbështetjes ushtarake për Ukrainën, fitoi pothuajse 24 për qind të votave, pavarësisht se anketat tregojnë për fitore të partisë liberalo-centriste.

Fico në vitin 2018 u detyrua të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit pas vrasjes së gazetarit hulumtues Jan Kuciak, ndërsa pas këtyre zgjedhjeve, duke gjykuar nga rezultatet, do t'i duhet të nisë negociatat e koalicionit për formimin e qeverisë së ardhshme, njofton Bi-Bi-Si.

Partia pro-evropiane Hlas, e cila mund të vendosë se kush do të formojë qeverinë e ardhshme, zuri vendin e tretë me 15 për qind të votave, ndërsa kreu i partisë dhe ish-kolegu i Ficos, Peter Pellegrini, bëri të ditur se të gjitha mundësitë janë të hapura për krijimin e një koalicioni të ardhshëm qeverisës.

"Nëse Smer hyn në qeveri, ne nuk do të dërgojmë asnjë plumb në Ukrainë", u tha Fico përkrahësve të tij së fundmi dhe vlerësoi se lufta në fakt filloi në vitin 2014, kur, siç tha ai, "nazistët dhe fashistët ukrainas filluan të vrasin popullsinë ruse në Donbas".

Ky kërcënim i Ficos shkaktoi shqetësim te anëtarët e Bashkimit Evropian dhe NATO-ja, por në rrjetet sociale fitoi mbështetjen e sllovakëve të cilët tradicionalisht kanë "ndjenja të ngrohta" drejt Moskës, vlerëson Bi-Bi-Si.

Partia Sllovakia Progresive, e cila është në vendin e dytë për nga numri i votave të fituara, është parti liberale, properëndimore e cila premton se do të vazhdojë ushtarakisht ta mbështesë Ukrainën. fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR