• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Skriningu përfundoi, jemi të gatshëm për hapjen e klastereve dhe vazhdimin e procesit reformues

Skriningu përfundoi, jemi të gatshëm për hapjen e klastereve dhe vazhdimin e procesit reformues

Bruksel, 7 dhjetor 2023 (MIA) - Gjatë skriningut pamë se si shtet kemi nivel të mirë të harmonizimit të legjislacionit, por sfidë mbetet zbatimi, porositi sekretarja në Sekretariatin e Çështjeve Evropiane dhe zëvendës kryenegociatore me BE-në, Drita Abdiu - Halili në fjalimin e saj përmbyllës në takimin e sotëm dypalësh për "Kapitullin 31" - "Politika e jashtme, e mbrojtjes dhe sigurisë" nga Klasteri 6, me mbylljen e të cilit përfundoi procesi i skriningut të vendit me BE-në.

"Për të arritur kriteret e BE-së duhet të punohet në mënyrë intensive në periudhën e ardhshme, gjatë hapjes së klasterave, mbylljes së kapitujve, reformimit dhe zhvillimit të vendit tonë, deri në anëtarësimin e plotë në Union në vitin 2030”, tha Abdiu - Halili, e cila mori pjesë në takim bashkë me zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin me BE-në, Mariçiq dhe ministrin e Punëve të Jashtme,Bujar Osmani.

Ajo theksoi se në "Kapitullin 31" kemi njëqind për qind harmonizim me legjislacionin e BE-së, për faktin se jemi vend anëtar i NATO-s dhe në vazhdimësi kemi punuar për harmonizimin e politikës së jashtme, të mbrojtjes dhe sigurisë me atë të BE-së dhe Aleancës së NATO-s.

Sipas saj, si shtet kemi dëshmuar se jemi të gatshëm të vazhdojmë negociatat, të vazhdojmë hapjen e klasterave dhe të arrijmë qëllimin tonë strategjik, anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.

Skriningu me Komisionin Evropian filloi më 15 shtator 2022. Qëllimi i skriningut ishin gjithsej 33 kapituj dhe 3 sfera, me mbi 90 ditë seanca aktive të skriningut në Bruksel, 850 prezantime nga delegacioni maqedonas. Në këtë proces u përfshinë më shumë se 900 ekspertë nga 206 institucione të administratës sonë shtetërore, si dhe 800 ekspertë nga Komisioni Evropian. Gjatë 15 muajve, sa zgjati procesi i skriningut, nga ana e Komisioni Evropian u prezantuan mbi 4500 akte, masa, rregullore dhe direktiva. fc/

Fotografia: SÇE

QËNDRONI TË LIDHUR