• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Skadon afati, Lista Serbe nuk aplikon për pjesëmarrje në zgjedhjet në veri të Kosovës

Skadon afati, Lista Serbe nuk aplikon për pjesëmarrje në zgjedhjet në veri të Kosovës

Prishtinë, 22 mars 2023 (MIA) - Zëdhënësi i Komisionit qendror zgjedhor në Kosovë, Valmir Elezi konfirmoi se sot skadon afati për paraqitje të kandidatëve për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në katër komuna në veri të Kosovës, për të cilët nuk janë paraqitur përfaqësues nga Lista serbe, lajmëroi Euronjus.

Afati për paraqitje të partive politike, individëve dhe grupeve të qytetarëve për zgjehdje të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, si dhe për këshilltarë të kuvendeve të komunave Leposaviq dhe Zveçan, për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Kosovë skadoi në orën 16:00.

Deri më tani, sipas të dhënave nga Komisioni kosovar qendror zgjedhor, përveç partive më të mëdha me shumicë shqiptare, është paraqitur vetëm Partia e serbëve të Kosovës nga Leposaviqi.

Nga kandidatët serbë për kryetar të Leposaviqit është paraqitur Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e serbëve të Kosovës, ndërsa për kryetare të Zveçanit ka kandiduar kandidatja e pavarur, Sllagjana Pantoviq.

Lista serbe dje kumtoi se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje sepse nuk janë përmbushur kërkesat e tyre për formim të AKS dhe tërheqje të pjesëtarëve të policisë speciale të Kosovës nga veriu i vendit.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa të Kosovës.
Dorëheqje kanë dhënë edhe serbët e punësuar në gjyqësor, administratë, polici dhe dogana të Kosovës. ab/

QËNDRONI TË LIDHUR