Siti lidhet me Pogban
- Shefat e Mançester Sitit kanë kontaktuar me njerëz të afërt me Pol Pogban për të hetuar situatën rreth lojtarit, gjendjen e tij fizike dhe prirjen e tij për t'iu bashkuar klubit në javët në vazhdim, shkruan gazeta "San". Kampionët po kërkojnë urgjentisht përforcime në mesfushë pasi Rodri mori një dëmtim të rëndë në fillim të sezonit që kontribuoi ndjeshëm në përkeqësimin e jashtëzakonshëm të formës dhe rezultateve të "Qytetarëve".
- Post By Fami Bajrami
- 14:21, 15 dhjetor, 2024
Mançester, 15 dhjetor 2024 (MIA) - Shefat e Mançester Sitit kanë kontaktuar me njerëz të afërt me Pol Pogban për të hetuar situatën rreth lojtarit, gjendjen e tij fizike dhe prirjen e tij për t'iu bashkuar klubit në javët në vazhdim, shkruan gazeta "San". Kampionët po kërkojnë urgjentisht përforcime në mesfushë pasi Rodri mori një dëmtim të rëndë në fillim të sezonit që kontribuoi ndjeshëm në përkeqësimin e jashtëzakonshëm të formës dhe rezultateve të "Qytetarëve".
Skuadra e Pep Guardiolës ka pësuar shtatë humbje nga dhjetë ndeshjet e fundit, një arritje e paprecedentë gjatë kohës së tij në "Etihad". Kjo situatë ka ndikuar që drejtuesit e Mançester Sitit të hapin portofolin në afatin kalimtar të janarit dhe të forcohen me të paktën një lojtar në mesfushë. Emra të tjerë që përfolen janë ylli i Njukasllit, Bruno Gimaraesh dhe Martin Subimendi i Real Sosiedadit.
Mësohet se Pogba ka dëgjuar ofertën e "Qytetarëve", por tani për tani nuk është i prirur për t'u rikthyer në Premier ligë, bazuar në peshën e kampionatit në Angli dhe historinë e tij me rivalët e qytetit, Mançester Junajted. Francezi preferon oferta nga La Liga, Seria A apo Bundesliga. Ai aktualisht ende është duke vuajtur ndalesën për doping që fillimisht ishte katër vjet, por më vonë u reduktua në 18 muaj. Pogba është agjent i lirë pasi disa javë më parë arriti marrëveshje me Juventusin për të ndërprerë kontratën e tij.
Foto: arkivi