• e diel, 18 maj 2025

Sindikata e kulturës sot mbajti këshill protestues: Kërkojnë pagesën e pagave dhe respektimin e marrëveshjes kolektive

Sindikata e kulturës sot mbajti këshill protestues: Kërkojnë pagesën e pagave dhe respektimin e marrëveshjes kolektive

Shkup, 22 prill 2025 (MIA) – Sindikata e Kulturës (SKRM) sot mbajti këshill protestues para Ministrisë së Kulturës për shkak të pagave të papaguara dhe për mosrespektim të marrëveshjeve kolektive. Në këshill përfaqësuesit e Sindikatës kërkuan kushte dinjitoze për punë, respektim të marrëveshjeve kolektive, transparencë dhe menaxhim profesional me institucionet kulturore, strategji për zhvillim të kulturës, si dhe Ligj për kulturë me pjesëmarrje të punonjësve të kulturës në hartimin e tij. 

Kryetarja e SKRM, Vera Atanasovska sot gjatë këshillit protestues informoi se nga shërbimet e kontabilitetit dhe juridike në institucionet e kulturës, morën njoftim se nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit janë dorëzuar udhëzime të reja për llogaritjen e pagës. 

Kjo nënkupton, siç theksoi, se udhëzimet e deritanishme ku ishte llogaritur paga sipas marrëveshjeve kolektive, më saktë marrëveshja kolektive për kulturë dhe marrëveshja e përgjithshme kolektive, nuk vlejnë, por se tani janë dhënë udhëzime të reja ku në njëfarë mënyre tjetër llogariten ato 10 për qind, sipas marrëveshjes së përgjithshme kolektive. 

Në këtë moment, siç tha, institucionet nuk veprojnë sipas këtyre udhëzimeve, sepse nuk është qartë se çka duhet të bëhet në këtë moment. Shpresojnë se gjatë ditës do të marrin udhëzime më të hollësishme dhe se pagën për muajin mars do ta marrin të paktën para festës së 1 Majit. 

Siç shtoi, qëndrimin e Këshillit të SKRM për këto udhëzime të marra do ta tregojnë gjatë ditës së sotme, kur do të marrin informacione më të hollësishme. 

“Sot në këtë seancë të hapur proteste të Këshillit të SKRM në përbërje të zgjeruar kërkojmë që të respektohen marrëveshjet kolektive dhe ligjet. Ne kërkojmë kushte dinjitoze pune dhe trajtim dinjitoz të njerëzve që janë pjesë e vetë kulturës si madhështi. Kërkojmë transparencë dhe menaxhim profesional të institucioneve të kulturës, pa kontroll partiak. Ne kërkojmë një strategji për zhvillimin e kulturës dhe ligj për kulturën me pjesëmarrjen e punëtorëve të kulturës në përgatitjen e tyre. Kërkojmë avancime të përshtatshme për punonjësit dhe valorizim të titujve profesional. Kërkojmë t'i jepet fund poshtërimit! Kultura nuk do të heshtë! Ne jemi zëri që nuk mund ta heshtim”, tha Atanasovska.

Sipas Atanasovskës, mosrespektimi i marrëveshjes kolektive është mosrespektim i njeriut. 

“Zbatimi 7-mujor i vonuar i nenit 65 për pagat në kulturë nga marrëveshja kolektive. presioni pas atyre muajve për të hequr dorë sërish nga pagat, mospagesa e pagave dhe sigurimeve shëndetësore për dy muaj në kohë pandemie, shkelja e vazhdueshme e dispozitave të Marrëveshjes Kolektive nga institucionet dhe mospërfillja e konkluzioneve të Komisionit për Monitorimin e Marrëveshjes Kolektive, nuk ishte problem i moszbatimit të marrëveshjes. Por, problem është respektimi i Marrëveshjes Kolektive për Kulturën, e cila parashikonte rregullimin e pagave për të gjithë punonjësit në përputhje me rritjen e standardit të jetesës. Dhe tani kemi një situatë ku një Marrëveshje Kolektive e nënshkruar, e njohur dhe e vërtetuar me Kushtetutë po shpallet në heshtje, mes tyre, pas dyerve të mbyllura, ose ‘jokushtetuese’ ose e ‘jashtëligjshme’", tha Atanasovska.

Ky, siç theksoi, nuk është vetëm mashtrim administrativ –është edhe tradhti juridike dhe morale. 

“Kjo nuk është çështje teknike – kjo është goditje ndaj dinjitetit të çdo të punësuari në kulturë. Mosrespektimi i marrëveshjes kolektive është mosrespektim i njeriut”, tha ajo. 

Sipas Atanasovskës, çdonjëri që vepron kundër shtetit social – i minon të drejtat e punëtorëve dhe e rrëzon sistemin e drejtësisë, solidaritetit dhe barazisë. 

“Mos harroni se ndikimi politik i mbyt institucionet kulturore duke vepruar paraprakisht drejtorë të dakorduar politikë dhe e shtyp çdonjërin që mendon lirshëm. Ndërsa kur shteti do të kthehet kundër kulturës, ai kthehet kundër vetes”. 

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov sot në këshillin protestues deklaroi se japin mbështetje të plotë dhe të pa rezervë për SKRM dhe punonjësit në kulturë. 

“Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë jep mbështetje të plotë dhe pa rezervë për SKRM dhe punonjësit e kulturës. Mua më vjen keq që ministri deri dje qëndronte krah për krah me ju, si punëtor, megjithatë si ministër me 79 për qind pagë të rritur lufton kundër pagave tuaja të parapara sipas marrëveshjeve kolektive, që personalisht mendoj që është turpshme”, tha Trendafillov. 

Për fat të keq, theksoi, sot nuk janë pa pagë vetëm punonjësit e kulturës, një pjesë e madhe e kolegëve dhe kolegeve në sektorin publik dhe privat janë gjithashtu pa pagë. 

“Ju ftoj të bashkoheni me ne më 1 Maj. 300 veta erdhëm në protestë tre javë më parë. Ata u trembën. Sot jemi 3 mijë. Ata kanë edhe më shumë frikë. U thamë se do të vinim edhe 30 mijë. Ajo që bëjnë është të na numërojnë, në vend që të na paguajnë rrogën. I nderuari ministër, njerëzit presin që sot t'u paguhen pagat në përputhje me marrëveshjen kolektive. Nëse jo, nëse nuk e bëni ju, do ta bëjë ndonjë ministër i ardhshëm”, shtoi Trendafilov. fc/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR