• e premte, 05 dhjetor 2025

Siljanovska-Davkova: Verbëria e vërtetë nuk është në sy, por në pandjeshmërinë e zemrës

Siljanovska-Davkova: Verbëria e vërtetë nuk është në sy, por në pandjeshmërinë e zemrës

Shkup, 15 tetor 2025 (MIA) - Dita e Shkopit të Bardhë është një kujtesë se dallimet nuk na ndajnë, por përkundrazi na afrojnë dhe na bëjnë më të pasur. Le të krijojmë dhe të jetojmë në një shoqëri ku çdo hap, zë dhe prekje ndihet, sepse ka kuptim. Nuk ka persona të hendikepuar, ekziston një shoqëri e hendikepuar. Është koha e duhur që ky vend të bëhet një vend i denjë për jetën e të gjithëve, tha presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në hapjen e ngjarjes me rastin e 15 tetorit - Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, të organizuar nga Shkolla e Mesme Shtetërore me qendër burimore "Dimitar Vllahov" - Shkup.

Shkopi i bardhë, theksoi Siljanovska-Davkova, simbolizon lirinë dhe mundëson pavarësinë, por edhe një detyrim se 4 mijë bashkëqytetarë tanë meritojnë hapat tanë konkretë.

"Prandaj dita e sotme nuk është vetëm festë, na kujton se verbëria e vërtetë nuk është në sy, por në pandjeshmërinë e zemrës. Është një thirrje për të gjithë që të hapim sytë dhe ta shohim botën me empati. Të mos harrojmë se shkopi i bardhë simbolizon një rrugë dinjitoze jetësore, por edhe një detyrim për të krijuar qytete të arritshme dhe humane", tha Siljanovska Davkova.

Uroj, tha Siljanovska-Davkova, që të gjithë të japim një dorë kur është e nevojshme, të jemi një zë për ata që nuk dëgjohen mjaftueshëm, të jemi një dritë dhe t'u bëjmë homazh të gjithë atyre që, me shikim të dëmtuar, na tregojnë çdo ditë se jeta nuk matet me atë që shohim, por me atë që ndiejmë.

Drejtoresha e shkollës, Aleksandra Jakovçevska, tha se shkolla dhe qendra burimore “Dimitar Vllahov” për më shumë se shtatë dekada është zemra e arsimit për personat me shikim të kufizuar dhe një simbol i pavarësisë dhe barazisë.

"Shkopi i Bardhë nuk është vetëm një mjet ndihme, por një instrument që i mëson çdo fëmije pavarësinë. Ne kemi nevojë për një shoqëri që beson se përfshirja nuk është një proces, por një qëndrim. Qëllimi ynë i përbashkët është i thjeshtë, por thelbësor, të jetojmë në një vend ku Shkopi i Bardhë nuk është simbol i dobësisë, por simbol i forcës", tha Jakovçevska.

Edukimi dhe rehabilitimi i hershëm i personave me shikim të dëmtuar, theksoi Jakovçevska, është shumë i rëndësishëm dhe, sipas hulumtimeve, do të thotë deri në 50 për qind pavarësi më e madhe në jetën e përditshme për personat me shikim të dëmtuar.

Shënimi i 15 tetorit si Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë zyrtarisht filloi në vitin 1964. E njëjta ditë festohet edhe në vendin tonë. Konkretisht, shkopi i bardhë si simbol i të verbërve u prezantua në vitin 1981 për t'ua lehtësuar lëvizjen personave të verbër midis automjeteve.

Lidhja kombëtare e të verbërve të Republikës së Maqedonisë e themeluar në vitin 1946, vepron për gati 7 dekada si një organizatë humanitare kombëtare, jo-partiake, jo-fitimprurëse dhe për personat me aftësi të kufizuara me rëndësi të veçantë shoqërore. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR