• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Siljanovska - Davkova në takim me Gutereshin: OKB duhet të mbetet arena kryesore për përballje me problemet botërore

Siljanovska - Davkova në takim me Gutereshin: OKB duhet të mbetet arena kryesore për përballje me problemet botërore

Nju-Jork, 24 shtator 2025 (MIA) – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot në Kombet e Bashkuara në Nju Jork kishte takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh. Siç njoftoi raportuesi i MIA-s, takimi është pjesë e vizitës së punës të presidentes në SHBA dhe pjesëmarrjes së saj në Sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Siljanovska-Davkova në takimin shprehu respekt për rolin e Gutereshit si zë i arsyes dhe drejtësisë në një kohë sfidash të mëdha globale dhe ndryshimesh tektonike në rendin ndërkombëtar.

"OKB-ja duhet të forcojë rolin e saj dhe të jetë arena kryesore për përballje me sfidat globale - nga lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Afërt, deri te kriza klimatike dhe zbatimi i Agjendës 2030. Prandaj, nevojiten reforma thelbësore, përmes forcimit të përfaqësimit dhe demokratizimit të Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit, theksoi presidentja në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së.

Duke theksuar rëndësinë e lidershipit të grave, ajo tregoi se në mënyrë aktive po zbatohet edhe Plani i dytë kombëtar i veprimit për gratë, paqe dhe siguri. 

Sipas saj, lidershipi i Gutereshit hap hapësirë ​​për zbatimin e reformave të nevojshme të organizatës botërore, kurse partneriteti i shkëlqyer me ekipin e OKB-së në vend rezulton në mbështetje të konsiderueshme për reformat e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë - prioritete që janë thelbësore për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. 

Siljanovska-Davkova falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për mbështetjen e tij të parezervë për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së dhe për qëndrimin e tij mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian.

 

Në kumtesën nga kabineti i Gutereshit, theksohet se Sekretari i Përgjithshëm dhe presidentja këmbyen mendimet për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, përfshirë procesin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Ata diskutuan gjithashtu bashkëpunimin midis Kombeve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut.

Pas takimit me Gutereshin, Siljanovska-Davkova, në Misionin e përhershëm të BE-së në Nju-Jork, do të marrë pjesë në drekën që për liderët e Ballkanit Perëndimor e organizon Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas. 

Sipas agjendës, ajo do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e organizuar nga Këshilli Atlantik për ndarjen e çmimeve për qytetarë global, si dhe në pritjen e organizuar nga Qendra ndërkombëtare "Nizami Ganxhavi".

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sonte mori pjesë mbrëmë në pritjen e organizuar nga presidenti amerikan Donald Tramp.

Është parashikuar, që ajo nesër të mbajë fjalim në Sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. ls/

Foto: Kabineti i Siljanovska-Davkovës

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR