• e premte, 22 nëntor 2024

Siljanovska Davkova në KOP29

Siljanovska Davkova në KOP29

Shkup, 11 nëntor 2024 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot në Baku të Azerbajxhanit mori pjesë në hapjen zyrtare të Konferencës së 29-të të palëve të Konventës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, informon kabineti i saj.

Në hapjen zyrtare të samitit e cila mbahet nën moton "Përmes solidaritetit për një botë të gjelbër", fjalim mbajtën Muhtar Babaev, ministri i Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore të Azerbajxhanit si kryetar i KOP29, Sajmon Stil, Sekretar ekzekutiv i Konventës kornizë të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike si dhe kryetari i KOP28, ministri për Industri dhe Teknologji të Larta të EBA, Sulltan Ahmed Al Xhaber.

Në fokusin e bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse në Konferencë do të jetë sigurimi i financave të nevojshme për të ndihmuar vendet në zhvillim për t'iu përshtatur ndryshimeve klimatike dhe për të zbatuar masat e nevojshme për të arritur qëllimet klimatike.

Nesër, siç informojnë nga kabineti i saj, presidentja Siljanovska Davkova do të mbajë fjalim në mbledhjen e parë plenare të segmentit të nivelit të lartë të shefave të shteteve dhe qeverive. 

Foto: kabineti i presidentes Gordana Siljanovska Davkova

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR