• e enjte, 04 dhjetor 2025

Siljanovska - Davkova i priti pjesëtaret e Armatës të cilat me sukses e përfunduan trajnimin në SHBA

Siljanovska - Davkova i priti pjesëtaret e Armatës të cilat me sukses e përfunduan trajnimin në SHBA

Shkup, 27 qershor 2025 (MIA) – Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova, sot, i priti kapedanen Neda Volçeva dhe togeren Sara Tasevska të cilat me sukses e përfunduan kursin shtatëmujor „Maneuver Captain's Career Course“ në Xhorxhia, SHBA, i organizuar nga qendra amerikane për trajnime „Fort Moore”.

Siç bëjnë të ditur nga Kabineti i presidentes, në takimin në të cilin morën pjesë ambasadorja amerikane Anxhela Ageler dhe shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral – major Sashko Lafçiski, të dyja pjesëtaret e Armatës e njoftuan presidenten me fazat, përmbajtjet dhe cilësinë e trajnimit ushtarak – arsimor dhe i ndanë planet, angazhimet dhe ambiciet e mëtutjeshme për progres në karrierë. 

“Duke njohur tek ato potencialin për gjeneralë të ardhshëm, Siljanovska-Davkova i përgëzoi Volçevën dhe Tasevskën për trajnimin e përfunduar me sukses dhe shprehu besim se ato do t'i zbatojnë njohuritë, aftësitë dhe ekspertizën e fituar në interes të armatës së Maqedonisë së Veriut. Sipas saj, zbatimi i këtij programi përfaqëson një investim në partneritetin Maqedoni e Veriut-SHBA dhe është veçanërisht i rëndësishëm për promovimin e vendit si aleat besnik dhe i besueshëm në NATO”, thuhet në kumtesë.

Në takim, shtojnë, ishte theksuar se pjesëmarrja e grave në trajnimet ndërkombëtare duhet të jetë praktikë e rregullt. Siljanovska – Davkova, gjithashtu, e riafirmoi angazhimin e saj për formimin e Qendrës Rajonale për Përsosmëri për Gratë, paqe dhe siguri me seli në Shkup, për shkak të promovimit të grave në sigurinë dhe mbrojtjen e rajonit. fc/

Foto: Kabineti i Presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

QËNDRONI TË LIDHUR