• e premte, 20 mars 2026

Sigurohen mjete shtesë për investime në infrastrukturën arsimore dhe efikasitetin energjetik

Sigurohen mjete shtesë për investime në infrastrukturën arsimore dhe efikasitetin energjetik

Shkup, 19 mars 2026 (MIA) - Marrëveshje për hua në vlerë prej 40 milionë euro për realizimin e fazës së dytë të investimeve në infrastrukturën arsimore dhe marrëveshje për grant shtesë prej 1,25 milionë euro për rritjen e efikasitetit energjetik janë nënshkruar sot me Bankën Zhvillimore Gjermane KfV.

Siç informon Ministria e Financave, marrëveshja e huasë siguron 40 milionë euro shtesë për zbatimin e fazës së dytë të investimeve në infrastrukturën arsimore, me fokus në përmirësimin e kushteve të qëndrimit dhe të mësimit të nxënësve dhe studentëve, si dhe rritjen e efikasitetit energjetik të ndërtesave publike. Cikli i investimeve përfshin vazhdimin e rindërtimit të konvikteve shtetërore të studentëve, me ç'rast konviktet "Kuzman Josifovski-Pitu" dhe "Stiv Naumov" janë tashmë në një fazë aktive të rindërtimit, si dhe një rindërtim të plotë të konvikteve shtetërore të studentëve të mbetura. Paralelisht, do të zbatohet rindërtimi i shtatë shkollave shtetërore me qendra burimesh, të cilat luajnë një rol kyç në ofrimin e arsimit gjithëpërfshirës për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.

Përmes programit, sërish për efikasitet energjetik rajonal për Ballkanin Perëndimor, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, është siguruar një grant shtesë prej 1.25 milionë eurosh. Këto fonde janë të destinuara për përgatitjen e dokumentacionit të projektit, auditimet e energjisë, projektimin e detajuar dhe procedurat e tenderimit, gjë që përfaqëson një mbështetje të konsiderueshme për zbatimin në kohë dhe me cilësi të lartë të investimeve.

Marrëveshjet u nënshkruan nga Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe Pablo Alvarez Obrador, drejtor i Energjisë për Evropën Juglindore dhe Turqinë në Bankën Gjermane për Zhvillim KfV.

"Me nënshkrimin e marrëveshjeve, Ministria e Financave konfirmon angazhimin e saj strategjik për të siguruar burime financiare të favorshme për zbatimin e investimeve kapitale me ndikim afatgjatë, si dhe për të forcuar partneritetin me institucionet financiare ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian. Ky investim do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së sistemit arsimor, përmirësimin e standardit të studentëve, rritjen e efikasitetit energjetik të ndërtesave publike dhe uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit në drejtim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës", thuhet në kumtesë. sa/

foto: Ministria e Financave

QËNDRONI TË LIDHUR