• e enjte, 04 dhjetor 2025

Shukova dhe Mojsova me zgjidhje konkrete për parkimin dhe urbanizimin në Shkup dhe Karposh

Shukova dhe Mojsova me zgjidhje konkrete për parkimin dhe urbanizimin në Shkup dhe Karposh

Shkup, 6 tetor 2025 (MIA) - Kandidatet për kryetar të Komunave nga LSDM-ja, Kaja Shukova për Qytetin e Shkupit dhe Maja Mojsova për Komunën e Karposhit, sot prezantuan vizionet e tyre për zgjidhjen e njërit prej problemeve më të mëdha me të cilat përballen shkupjanët – parkimi dhe urbanizimi kaotik. Të dyja kandidatet theksuan se këto çështje nuk janë vetëm teknike, por thelbësore për cilësinë e jetës dhe dinjitetin e qytetarëve.

"Sot jemi në Karposh, komuna e cila çdo ditë ballafaqohet me problemin serioz - parkimin. Por kjo nuk është vetëm një çështje e Karposhit, por e të gjithë qytetit. Të gjithë e dimë se çfarë do të thotë të rrotullohesh rreth ndërtesës pas punës, duke kërkuar një vend të lirë. Nëse na vijnë mysafirë, kaos edhe më i madh. Prandaj në programin tonë, parkimi dhe urbanizmi janë përparësi kryesore", tha Shukova në një konferencë për shtyp të mbajtur përpara restorantit "Mleçen".

Ajo njoftoi vendosjen e parkingjeve inteligjente me pagesë digjitale, zona parkimi në periferi të lidhura me transportin publik dhe informacion në kohë reale.

"Përmes strategjisë "Shkupi për të gjithë", sigurojmë parking të subvencionuar për familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët, të rinjtë e papunë dhe personat me aftësi të kufizuara. Çdo projekt i ri urbanistik do të duhet paraprakisht të parashikojë hapësira parkimi, sipërfaqe të gjelbra dhe zona për këmbësorë – jo pas ndërtimit, por si kusht paraprak", shtoi ajo.

Shukova theksoi se urbanizimi do të jetë transparent, me plane të qasshme onlajn dhe mundësi për propozime publike.

"Do të miratojmë një plan të përgjithshëm urbanistik të ri, të rreptë dhe ekologjik. Në dy deri në katër vitet e para do ta hartojmë strategjinë "Shkupi 2050", një vizion afatgjatë për një qytet të mençur dhe të qëndrueshëm, me zona urbane të përziera dhe hapësira publike të rregulluara. Nuk mund të vazhdojmë të luftojmë me këtë kaos. Shkupi meriton shumë më tepër", përfundoi Shukova. qa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR